Gjenden gjashtë trupa në varrezën e dyshuar masive në Zubin Potok, Prokuroria kërkon kujdes me deklaratat (VIDEO)





Gjatë punimeve për gërmime në fshatin Kalludër e Vogël, në komunën e Zubin Potokut, deri tani janë gjetur gjashtë trupa, raportojnë mediat në Kosovë, ndërsa hetimet për identifikimin e tyre vijojnë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka parë nga afër gërmimet në këtë zonë, ku dyshohet për ekzistencën e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë.

Isufaj konfirmoi se gërmimet kanë nisur dhe falënderoi të gjitha institucionet e përfshira në proces, veçanërisht Policinë e Kosovës, prokurorët e Prokurorisë Speciale dhe ekipet e Mjekësisë Ligjore.

Ai bëri të ditur gjithashtu se mbetjet mortore të gjetura në vendngjarje janë me origjinë njerëzore, ndërsa kërkoi që të shmangen deklaratat publike që mund të dëmtojnë hetimet.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm me deklarimet, pasi çdo informacion i parakohshëm mund të dëmtojë procesin hetimor”, u shpreh Isufaj.

Institucionet e Kosovës dyshojnë se varreza masive në Kalludrën e Vogël mund të lidhet me zhdukjen e të ashtuquajturit “grupi i intelektualëve të Mitrovicës”./Euronews.al

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo