Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, kërkoi nga kryeministri Hristijan Mickoski përgjigje se kush mban përgjegjësi për gjendjen me ujin në Gostivar dhe pse rezultatet e analizave nuk janë bërë publike. Ai tha se uji është i ndotur në një pjesë të madhe të vendit dhe akuzoi Qeverinë edhe për gjendjen e përgjithshme në shtet, duke përmendur rritjen e çmimeve, krizën ekonomike, gjendjen në shëndetësi, korrupsionin dhe bllokimin e rrugës evropiane.
“Kush është fajtor, kryeministër, për të gjitha këto? E di se do të thoni se fajtor është Venko, se fajtor është LSDM-ja për gjithçka, por qytetarët e dinë se përgjegjësinë e mbani ju. Megjithatë, dua ta dëgjoj nga ju. Kush është fajtor për të gjitha këto që po ndodhin në shtet?”, theksoi Venko Filipçe – Kryetar I LSDM-së.
Mickoski përsëriti se pret që Gostivari shumë shpejt të ketë ujë të pastër edhe për pije.
“Nuk e di nëse unë si inxhinier apo Pançe si jurist kuptohemi në hiperklorimin, por e di se nëse dje kishim gjashtë mostra të papërshtatshme, sot janë vetëm dy. Pres që brenda pak ditësh qytetarët e Gostivarit të kenë ujë të rregullt edhe për pije. Ata që janë përgjegjës ndodhen aty ku duhet të jenë, ndërsa i bëj thirrje edhe Prokurorisë të merret me këto pretendime”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Sa u përket çështjeve të tjera të ngritura nga Filipçe, Mickoski u përgjigj duke krahasuar treguesit aktualë me gjendjen gjatë qeverisjes së mëparshme të LSDM-së.