Dauti bllokon seancën, kërkon përgjigje nga Mickoski për pyetjen parlamentare

Seanca plenare për pyetjet e deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u ndërpre dy herë gjatë ditës së sotme, pasi deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, refuzoi të largohej nga foltorja duke kërkuar përgjigje nga kryeministri Hristijan Mickoski për një pyetje parlamentare, për të cilën tha se prej disa javësh nuk ka marrë përgjigje.

Situata u tensionua pasi kryeministri iu përgjigj pyetjes së deputetit dhe kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, ndërsa, sipas Dautit, anashkaloi sërish pyetjen e saj. Deputetja doli në foltore dhe deklaroi se nuk do të largohej derisa të merrte një përgjigje nga kryeministri.

“Unë sot nuk do të largohem nga kjo foltore derisa të marr përgjigje për pyetjen që e kam parashtruar herën e kaluar. Ose do të dilni këtu dhe do të jepni përgjigje, ose kjo seancë sot nuk do të vazhdojë më tej”, deklaroi Dauti.

Gjatë zhvillimeve, deputeti Rijad Shaqiri kërkoi fjalën për procedurë, ndërsa kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u përball me vështirësi në vazhdimin e seancës, pasi Dauti nuk largohej nga foltorja. Në mbështetje të saj qëndroi edhe deputeti dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.

Në sallë pati reagime edhe nga anëtarë të Qeverisë, ndërsa Gashi vendosi fillimisht të ndërpresë seancën për 30 minuta. Pas rifillimit, debatet procedurale vazhduan. Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, akuzoi kryeministrin se po shmang qëllimisht përgjigjet ndaj pyetjeve parlamentare.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo