Nurellari kritikon vendimin e qeverisë për konsullatën serbe në Shkodër: Pse pikërisht tani, pas zbulimit të varrit masiv në Zubin Potok?

Analisti Adri Nurellari ka reaguar ndaj vendimit të Shqipërisë dhe Serbisë për hapjen e konsullatave në vendet e njëra-tjetrës, duke ngritur pikëpyetje për kohën dhe arsyet e këtij hapi diplomatik, shkruan Periskopi.

Në reagimin e tij, ai e lidh vendimin me zhvillimet e fundit në Kosovë, duke kujtuar se vetëm pak ditë më parë në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut u zbulua një varr që dyshohet se përmban mbetjet e 23 shqiptarëve, intelektualë të Mitrovicës, të ekzekutuar nga forcat serbe në vitin 1999.

“Pse qeveria e Tiranës pranon hapjen e një konsullate serbe në Shkodër pikërisht tani? Pikërisht kur në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut është zbuluar një varr që dyshohet se përmban mbetjet e 23 shqiptarëve, intelektualë të Mitrovicës, të ekzekutuar nga forcat serbe në vitin 1999”, shkruan Nurellari.

Advertisement
Ai vijon duke përmendur edhe kontekstin politik në Serbi, duke theksuar se vendimi po merret “pikërisht kur Serbia ndodhet nën izolim dhe presion nga Bashkimi Europian si rrallëherë më parë”, “pikërisht kur qeveria e Vuçiçit po përballet me presion të jashtëzakonshëm nga protestat e brendshme” dhe “pikërisht kur Lugina e Preshevës vazhdon të goditet nga pasivizimi i adresave”.

Në reagimin e tij, Nurellari ngre pikëpyetje edhe për zgjedhjen e Shkodrës si seli e konsullatës serbe.

Advertisement
“Pse në Shkodër? Ndërkohë që në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë jetojnë afro 100 mijë shqiptarë, qeveria shqiptare pranon hapjen e një konsullate serbe në Shkodër për një komunitet të vetë-deklaruar prej rreth 50 malazezësh”, shprehet ai.

Po ashtu, ai pyet edhe për vendndodhjen e konsullatës shqiptare në Luginën e Preshevës: “Pse do hapet në Bujanoc konsullata jonë e jo në Preshevë që konsiderohet qendra e Luginës?”

Në fund të reagimit të tij, Nurellari kërkon sqarime publike për këtë vendim.

“Çfarë mesazhi diplomatik po jep Shqipëria? Pse ky nxitim? Kujt i shërben ky vendim? Ky është një vendim që kërkon një shpjegim të qartë, publik dhe bindës”, ka përfunduar ai.(INA)

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo