Dimitrieska-Koçoska: Riblanci është një zgjidhje e mirë dhe për herë të parë sjell rreth 6 miliardë denarë më shumë mjete për shpenzimet kapitale
30 korrik 2026, Shkup – Ribalanci i Buxhetit për vitin 2026, i cili u miratua në Kuvend të hënën, është një zgjidhje e mirë dhe një nga ribalancet e rrallë të Buxhetit gjatë këtyre viteve, i cili ka rritje të zërave të shpenzimeve kapitale. Këtë e potencoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska gjatë intervistës në ditarin e RTM-së.
“Ky ribalanc është një zgjidhje e mirë, duke marrë parasysh gjendjen e përgjithshme në ekonomi, jo vetëm në Maqedoni, por duke e parë në përgjithësi situatën gjeopolitike dhe duke marrë parasysh pasiguritë që janë para nesh. Ky është një nga të paktët ribalance buxheti ku kemi rritje të zërit të shpenzimeve kapitale. Para së gjithash duhet të themi se bëhet fjalë për rritjen e shpenzimeve kapitale që drejtpërdrejt nënkupton investime të caktuara. Ne këtu nuk flasim për transferime të rregullta, avance, transferime në ndërmarrjet publike dhe kështu me radhë, ku në të kaluarën ishin evidentuar si shpenzime kapitale dhe ku nuk shihnim asnjë investim. Domethënë, kjo më gëzon. Për herë të parë, ka korrigjim në anën e shpenzimeve ose rritje prej rreth gjashtë miliardë denarësh”, tha ministrja.
Ajo shtoi se gati në të gjitha ministritë ka rritje të mjeteve, por pjesa më e madhe e rritjes së planifikuar të shpenzimeve kapitale është në Programin AA, ku ka një përqindje vërtet të lartë të realizimit të investimeve kapitale dhe se puna në terren shihet vërtet se po përparon me një ritëm të përshpejtuar. Më tutje, në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ku ka rritje të më shumë zërave, pjesa më e madhe është te shpenzimet kapitale, me më shumë se 700 milionë denarë, mjete të paraparë për stacionin e filtrimit të ujërave të zeza në Shkup. Në Ministrinë e
Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka disa projekte që lidhen me financimin e siguruar nga IPA. Ka rritje edhe në zërat e Ministrisë së Mbrojtjes gjithmonë në pjesën e shpenzimeve kapitale.
Ministrja sqaroi se me ribalancin, të hyrat e përgjithshme të projektuara mbulojnë shpenzimet rrjedhëse, ndërsa diferenca e mbetur është destinuar për shpenzimet kapitale. Ajo theksoi se i gjithë deficiti buxhetor, në thelb, shkon për financimin e shpenzimeve kapitale, ose ajo që qytetarët e njohin si investime. “Besoj se duhet të pajtohemi të gjithë se çdo ditë shohim vënien në shfrytëzim të ndonjë projekti të ri pothuajse në çdo vendbanim. Kjo tregon se projektet po realizohen realisht në terren dhe çdo qytetar mund ta vërejë këtë me sytë e tij. Nga ana tjetër, sipas parametrave ekonomike, përmes prodhimit të brendshëm bruto dhe rritjes së PBB-së dëshmojnë qartë se edhe Qeveria ka kontribut në këtë rritje, përmes rritjes së PBB-së edhe pse nuk është rezultat vetëm i veprimeve të Qeverisë, por Qeveria ka pjesërisht kontribut në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto.”
Gjatë intervistës, ministrja u ndal edhe te realizimi i të hyrave në Buxhet, duke theksuar se mbushja e buxhetit po zhvillohet rregullisht dhe se të dhënat e publikuara tregojnë arkëtim të mirë në të gjitha kategoritë tatimore. Sipas saj, e vetmja kategori ku është regjistruar nivel më i ulët i arkëtimit janë akcizat, gjë që lidhet drejtpërdrejt me masat e ndërmarra nga Qeveria.
Lidhur me borxhin publik dhe huamarrjen, ministrja theksoi se borxhi publik deri më tani është menaxhuar me sukses dhe situata është nën kontroll, ndërsa huamarrjet krijojnë rritje ekonomike.