VDEKJA AKSIDENTALE E PEHLIVANIT NGA VESHALLA

Shkruan: Merxhan Jakupi

Në pjesën verilindore të Maqedonisë së Veriut, gjatë viteve të 50-ta dhe 60-ta, në fshatin Topolnicë të Komunës së Radovishit jetonin shumë familje të shpërngulura nga fshatrat e Malësisë së Sharrit. Shumica e banorëve i përkisnin komunitetit turk, të njohur si jyrukë, por aty jetonin edhe rreth pesëdhjetë familje shqiptare të ardhura nga Veshalla, Brodeci, Vica, Xherma dhe Liseci.

Njëra ndër familjet e ardhura nga Veshalla ishte familja e Kasëm Hajdarit. Kjo familje njihej si familje pehlivanësh. Në Komunën e Radovishit ishte formuar klubi sportiv “Buçim Jaka”, ku ushtronin të rinj shqiptarë, turq dhe maqedonas.

Në këtë klub stërviteshin Safeti, vëllai i tij Hajdari dhe shumë të rinj të tjerë. Safeti shquhej për talentin dhe aftësitë e tij sportive. Falë rezultateve të tij, klubi fitoi emër dhe u bë i njohur në mbarë Jugosllavinë.

Safet Kasami u shndërrua në një figurë të njohur të mundjes. Në vitet e 60-ta ai arriti të shpallej kampion i Jugosllavisë. Ishte një malësor i pashëm, flokëverdhë dhe me paraqitje tërheqëse. Bukuria dhe fama e tij bënin që shumë vajza jyruke ta admironin.

Thuhet se një vajzë kishte rënë në dashuri me të. Sipas zakoneve të komunitetit jyruk, kur një familje dëshironte ta fejonte vajzën, dërgonte shkues në familjen e djalit. Një ditë, shkuesi trokiti edhe në derën e familjes së Safetit.

Nëna e tij, e njohur për humorin dhe karakterin e fortë, iu përgjigj:

-Djali im do të martohet me një shqiptare. Ne e kemi zgjedhur nusen në vendin tonë.

Ishte vera e vitit 1966. Safeti, së bashku me familjen, u nis drejt vendlindjes së tij, Veshallës. Ai ruante mall dhe kujtime të shumta për fshatin, lagjen dhe shokët e fëmijërisë.

Duke kaluar nëpër shtigjet malore, ndiente erën e freskët të bjeshkëve. Në horizont dukeshin tufat e deleve që kullosnin në livadhe. Kur mbërritën në fshat, përballë u shfaq xhamia me minaren e saj të lartë dhe pas saj shtëpia dykatëshe e familjes.

Nga larg dëgjoheshin lodrat dhe zurlat. Kishte filluar dasma.

Pranë hyrjes së fshatit, te Çukthi, dukej varri i Baba Hajdarit. Safeti vuri re dallimin mes klimës së Topolnicës dhe asaj të Veshallës. Topolnica ishte një vendbanim fushor me klimë më të butë, ndërsa Veshalla mbetej vendi i maleve dhe i bjeshkëve.

Era e kafesë së freskët përzihej me aromën e ajrit malor. Në oborrin e shtëpisë ishin mbledhur shumë burra e mysafirë që përshëndesnin familjen me përqafime dhe urime.

Në ditën e tretë të dasmës, pasi përfunduan drekat tradicionale dhe u mor nusja, turma u drejtua drejt një livadhi ku do të zhvillohej ndeshja e pehlivanëve.

Të gjithë prisnin me padurim paraqitjen e Safetit, kampionit të Jugosllavisë.

Nuk kishte pehlivanë të ftuar nga krahinat e tjera. Përballë tij u zgjodh një mik i fshatit, Imer Hazizi, i njohur me nofkën Mera. Imeri ishte burrë i gjatë dhe me trup të fuqishëm. Edhe pse kishte pamjen e një pehlivani të lindur, ai ishte vetëm amator.

Pas ritualit tradicional të hyrjes në arenë, të veshur me qyspekë dhe të lyer me vaj, dy malësorët nisën përballjen.

Nën tingujt e lodrave dhe zurlave, që jehonin nëpër male e bjeshkë, ata u përplasën me forcë. Ishte një ditë e nxehtë vere. Djersa u rridhte nga balli e fytyra.

Pas një kohe, nga turma sollën një shtamë me ujë dhe një peshqir. Safeti shpëlau gojën, fshiu ballin dhe u kthye sërish në arenë.

Por lodhja kishte lënë gjurmë.

Në një moment ai u shtri në tokë pa lëvizur. Trupi i tij dukej i rëndë dhe pa jetë. Vëllai iu afrua menjëherë dhe e thirri me zë të lartë.

Pranë livadhit ndodhej një krua. I hodhën ujë të ftohtë mbi kokë dhe qafë. Edhe imami i fshatit u afrua, recitoi ajete nga Kurani dhe u përpoq ta ndihmonte.

Por gjendja e tij nuk u përmirësua.

Të nesërmen, në spital, Safeti ndërroi jetë.

Lajmi tronditi Veshallën dhe gjithë Malësinë e Sharrit. Fshati u mbulua nga zia dhe dhimbja.

Në historinë e mundjes tradicionale ka pasur raste kur pehlivanë kanë humbur jetën në arena. Edhe vdekja e Safet Kasamit, kampionit të njohur jugosllav, u konsiderua një aksident tragjik sportiv.

Mes familjeve nuk pati asnjë konflikt, asnjë armiqësi dhe asnjë dyshim për qëllime të tjera. Ngjarja u pranua si një fatkeqësi e rëndë që goditi një familje dhe një fshat të tërë.

Edhe sot, pas shumë dekadash, vdekja tragjike e Safet Kasamit kujtohet nga malësorët e Veshallës si një nga ngjarjet më të dhimbshme në historinë e pelivanëve të kësaj treve.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo