Nga Sefer Selimi
Maqedonia e Veriut si shtet unitar multietnik, është ngritur mbi dy shtylla themelore të stabilitetit të saj politik: Marrëveshjen e Ohrit dhe integrimin në Bashkimin Evropian.
Shtylla e parë, Marrëveshja e Ohrit ishte alternativa ndaj ndarjes territoriale. Ajo e ruajti karakterin unitar të shtetit duke e bazuar atë mbi ndarjen e pushtetit, përfaqësimin e drejtë dhe vendimmarrjen konsensuale në vend të ndarjes së territorit.
Kjo qeveri, që nga formimi i saj ka filluar ta rrënojë pikërisht këtë kompromis. Fillimisht duke injoruar vullnetin politik të shqiptarëve, e më pas duke cenuar njëra pas tjetrës shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit nga përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, deri te përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe mekanizmat që pengojnë mbivotimin etnik.
Shtylla e dytë ishte integrimi në Bashkimin Evropian. Për më shumë se dy dekada ky ka qenë konsensusi strategjik shtetëror. Për shqiptarët, perspektiva evropiane kishte edhe një dimension tjetër: ideja e bashkimit kombëtar u zëvendësua me bindjen se “shqiptarët do të bashkohen në Bashkimin Evropian”.
Sot edhe kjo perspektivë është futur në një qorrsokak, pa një rrugëdalje të dukshme politike.
Të dyja këto realitete, në thelb, i konfirmoi dje edhe kryeministri Hristijan Mickoski. Marrëveshjen e Ohrit e trajtoi si një marrëveshje praktikisht “të skaduar”, me arsyetimin se qëllimi i saj ishte ndërprerja e konfliktit të armatosur të vitit 2001; ndërsa zhbllokimin e integrimit evropian përmes ndryshimeve kushtetuese e paraqiti si të pamundur.
Nëse Marrëveshja e Ohrit konsiderohet e përfunduar, ndërsa perspektiva evropiane bllokohet pa afat, atëherë nuk kemi të bëjmë më vetëm me një debat për një ligj, një vendim qeveritar apo një përplasje mes pushtetit dhe opozitës.
Kemi të bëjmë me vënien në pikëpyetje të dy kompromiseve politike mbi të cilat shqiptarët e kanë ndërtuar pozicionin e tyre brenda Maqedonisë së Veriut pas vitit 2001.
Dhe këtu lind pyetja që nuk mund të vazhdojë të shtyhet.
Jo vetëm partitë politike shqiptare, por elitat akademike, shoqëria civile, diaspora dhe e gjithë shoqëria shqiptare në Maqedoninë e Veriut duhet t’i përgjigjen: Ku jemi ne në këtë rend të ri politik dhe si do të sillemi ndaj kësaj gjendjeje faktike?
Nëse dy shtyllat mbi të cilat është ndërtuar kompromisi ynë politik rrëzohen, atëherë diskutimi nuk mund të vazhdojë sikur gjithçka është normale.
Nëse ndryshojnë premisat mbi të cilat është arritur kompromisi, duhet të rishqyrtohet edhe vetë kompromisi.