Pas triumfit me nokaut ndaj Kristian Prengës, Anthony Joshua tërhoqi vëmendjen jo vetëm me paraqitjen në ring, por edhe me një gjest që u vlerësua nga publiku.
Menjëherë pas përfundimit të sfidës, ish-kampioni britanik kërkoi një flamur shqiptar dhe e ngriti lart në shenjë respekti për kundërshtarin e tij dhe tifozët shqiptarë të pranishëm në arenë.
Joshua mbajti në njërën dorë flamurin shqiptar, ndërsa në tjetrën flamurin e Anglisë, duke simbolizuar respektin mes dy sportistëve dhe vendeve që ata përfaqësojnë. Veprimi i tij u prit me duartrokitje dhe entuziazëm nga të pranishmit.
Në aspektin sportiv, britaniku siguroi fitoren me nokaut në raundin e dytë. Megjithatë, dueli nisi me surpriza, pasi Kristian Prenga zhvilloi një raund të parë shumë të fortë, duke e vendosur disa herë Joshua-n në vështirësi dhe duke i shkaktuar një nga momentet më të komplikuara të ndeshjes. Në fund, përvoja dhe fuqia e britanikut bënë diferencën, duke i dhënë atij fitoren përpara kohe.