Në familjen tonë lufta nuk ka mbaruar kurrë





Urim Saliu

Ka luftëra që mbarojnë me heshtjen e armëve. Por ka edhe luftëra që vazhdojnë të jetojnë në zemrat e atyre që mbetën pas.
Në familjen tonë, lufta nuk ka mbaruar kurrë.
Ajo vazhdon sa herë që një karrige mbetet bosh. Sa herë që një fotografi zverdhet nga vitet. Sa herë që një nënë thërret në heshtje emrin e djalit të saj dhe nuk merr përgjigje. Sa herë që një fëmijë rritet duke mësuar fytyrën e babait vetëm nga një fotografi.
Unë i kam dy martirë në familjen time.
Nuk i kujton më pothuajse askush. Koha ka kaluar, njerëzit kanë vazhduar jetën e tyre dhe emrat e tyre janë tretur mes zhurmës së politikës, premtimeve dhe harresës. Por për ne, koha ka mbetur në vend. Ka mbetur aty ku ata u ndanë përgjithmonë nga ne.
Ata nuk morën me vete vetëm jetën e tyre por buzëqeshjet e prindërve, qetësinë e familjeve, ëndrrat që nuk arritën t’i jetonin. Ne që mbetëm, mësuam se dhimbja nuk largohet. Ajo vetëm mëson të heshtë.
Nuk ka peshë më të rëndë se ajo e një babai që varros djalin e vet. Nuk ka lot më të hidhura se ata të një nëne që presin kot një trokitje në derë që nuk vjen kurrë. Ata jetuan me atë plagë deri në frymën e fundit. Nuk vdiqën vetëm nga mosha por i vrau edhe malli.
Prandaj, askush nuk ka të drejtë t’u thotë familjeve të martirëve se duhet të heshtin. Ata kanë të drejtë të pyesin çdo ditë se çfarë u bë me ëndrrën për të cilën ranë bijtë tanë? A ia vlejti sakrifica? A u ndërtua drejtësia që u premtua?
Më dhemb edhe një tjetër padrejtësi.
Me kalimin e viteve, ne humbëm aftësinë për të dalluar heroin nga mashtruesi. Mjaftoi një uniformë që dikush të shpallej hero përgjithmonë, edhe kur më vonë e turpëroi atë uniformë. Ndërsa shumë burra të ndershëm, që luftuan pa bërë zhurmë, i lanë armët, u kthyen në familjet e tyre dhe jetuan me dinjitet, u zhdukën nga kujtesa jonë.
Harresa është vdekja e dytë.
Ne, fatkeqësisht, ua kemi dhuruar këtë vdekje shumë prej atyre që nuk e meritonin.
Sot bëhen 25 vjet nga dita kur daja im, Murtezan Etemi, ra i vrarë në përleshjet e armatosura me forcat speciale.
Çdo vit që kalon, më duket sikur nuk e varrosim vetëm atë. Varrosim edhe një copëz të shpresës se sakrifica e tij do të shpërblehej me një jetë më të mirë për brezat që erdhën pas.
Ndoshta kjo është dhimbja më e madhe.
Jo se ai nuk u kthye.
Por se ëndrra për të cilën ai dha jetën, ende nuk është kthyer.
E megjithatë, sa të jemi gjallë ne që i kemi dashur, ata nuk do të jenë vetëm emra të gdhendur mbi gurë. Do të jenë kujtesa jonë, ndërgjegjja jonë dhe pyetja që nuk pushon kurrë: A e merituam sakrificën e tyre?Martiri tjeter është Burim Huseini.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo