Mëngjesi i sotëm ishte i trishtë për familjen Raka. Vajza e tyre 24-vjeçare, Rea, vdiq si pasojë e një vetaksidenti në orët e mëngjesit në Komoran, teksa po ktheheshin nga Aeroporti i Tiranës.
Të lënduar rëndë mbetën tre anëtarë të kësaj familje, të cilët u dërguan për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore kanë dhënë detaje për Klankosova.tv edhe nga QKUK.
Ata janë dërguar fillimisht në Emergjencë, ndërsa më pas njëra paciente i është nënshtruar operacionit dhe është transferuar në Mjekimin Intensiv.
“Pas realizimit të ekzaminimeve të nevojshme, njëri nga të lënduarit është dërguar në sallën operative të QE nga ekipet e Kirurgjisë Abdominale, urologjisë dhe anestezionit. Pas intervenimit kirurgjik pacientja është dërguar në MIQ për vazhdim të tretmanit.”
Edhe 2 të lënduarit e tjerë janë në gjendje stabile për momentin, por me lëndime të rënda trupore, ku njëri po trajtohet në Klinikën Torakale, kurse tjetri në Ortopedi. /KLankosova.tv