Qeveria shpall gjendje krize 30-ditore në Gostivar: “Përparësi absolute është shëndeti i qytetarëve”
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shpallë gjendje krize për 30 ditë në Komunën e Gostivarit, për shkak të situatës me furnizimin me ujë të pijshëm informon Tetovasot .
Vendimi është miratuar në mbledhjen e 195-të të Qeverisë, me propozim të Komitetit Drejtues për Menaxhim me Kriza.
“Meqenëse pushteti lokal nuk mund të përballet me situatën e krijuar në Komunën e Gostivarit, Qeveria vendosi të shpallë gjendje krize për 30 ditë, me qëllim koordinimin më të shpejtë të institucioneve, funksionalizimin e sistemit të furnizimit me ujë dhe sigurimin e ujit të pijshëm në afatin më të shkurtër të mundshëm”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Qeveria thekson se mbrojtja e shëndetit të qytetarëve mbetet prioriteti kryesor dhe se institucionet do të angazhohen deri në zgjidhjen e plotë të problemit.
“Shëndeti i qytetarëve të Gostivarit mbetet fokusi i Qeverisë dhe jemi të përkushtuar për zgjidhjen e plotë të këtij problemi.”
Njëkohësisht, ekzekutivi kërkon që Prokuroria Publike të zhvillojë hetim të detajuar për rastin.
“Presim që Prokuroria Publike ta hetojë në detaje këtë rast. Duhet të ketë përgjegjësi për secilin që ka vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e qytetarëve të Gostivarit.”
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria emëroi Zlatko Perinskin ushtrues detyre të drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor të Maqedonisë së Veriut. Sipas njoftimit, Perinski është magjistër në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe më parë ka ushtruar funksionet e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, drejtorit të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” në Shkup, si dhe menaxherit të Qendrës Sportive “Boris Trajkovski”.