Mickoski nga Velesi: Me ribalancin e buxhetit do të sigurohen mjete për lidhjen e hidrosistemit Lisiçe me Liqenin Mlladost, ndërsa këtë verë nis edhe ndërtimi i garazhit nëntokësor në kate

Dëshiroj të shpreh kënaqësinë time për të gjitha këto projekte që janë në fazën e realizimit, si dhe për projektet që do të realizohen në periudhën në vijim. Do të doja vetëm shkurt ta plotësoja atë që e përmendi kryetari i komunës lidhur me tubacionin që duhet ta lidhë hidrosistemin Lisiçe me Liqenin Mlladost.

Janë bërë përpjekje përmes ridestinimit të mjeteve nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe besoj se me ribalancin e buxhetit do të sigurohen mjetet për ato pak kilometra tubacion që mungojnë, në mënyrë që të lidhen këto dy sisteme. Kështu do të zgjidhet edhe një çështje tjetër e rëndësishme. Siç tha edhe kryetari i komunës, atë që është shkatërruar për dekada nuk mund ta zgjidhim brenda natës, por megjithatë, hap pas hapi dhe prioritet pas prioriteti po i përfundojmë projektet dhe në këtë drejtim do të vazhdojmë edhe më tej. Është e rëndësishme të mos krijojmë probleme të reja, të cilat në thelb do të paraqisnin vështirësi për qytetarët e Velesit.

Dëshiroj ta përgëzoj kryetarin e komunës për punën që po bën, punë me shumë motivim, me fokus të madh dhe puna e tij është vërtet frymëzuese. Dëshiroj t’i falënderoj edhe këshilltarët, administratën e Këshillit, deputetët nga Velesi, të cilët angazhohen që Velesi të përfitojë sa më shumë projekte nga Qeveria. Kështu do të vazhdojmë edhe më tej. Në mesin e prioriteteve tona strategjike dhe në fokusin tonë mbetet Velesi.

Gjithashtu dëshiroj ta falënderoj zëvendëskryeministrin dhe ministër i transportit, si dhe kolegët e tjerë, të cilët përmes punës së tyre realizojnë projekte dhe po i zbatojnë prioritetet që ua kemi premtuar qytetarëve.

Edhe një herë, falënderim për qytetarët e Velesit, veçanërisht për durimin e tyre, sepse të gjitha këto projekte kërkojnë kohë për t’u realizuar. Megjithatë, një nga një po i përfundojmë dhe jam shumë i kënaqur që më në fund këtë verë do të fillojë ndërtimi i garazhit nëntokësor me kate në qendër të qytetit, së bashku me sheshin e ri. Shpresoj që gjatë vitit të ardhshëm të kemi një tërësi funksionale, diçka që ka qenë prioriteti ynë që nga koha kur ishim në opozitë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo