FIFA cakton gjyqtarët për finalen e Kupës së Botës





Slloveni Slavko Vinçiç do të ndajë drejtësinë në duelin e finales së madhe të Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, ndërsa ekipi i arbitrave kompletohet nga dy ndihmës sllovenë dhe dy zyrtarë nga Jordania.

FIFA ka zyrtarizuar ekipin e gjyqtarëve që do të drejtojë finalen e madhe të Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila zhvillohet më 19 korrik në “New York New Jersey Stadium” i njohur edhe si “MetLife Stadium”.

Besimi i është dhënë gjyqtarit slloven Slavko Vinçiç, një prej emrave më të njohur të arbitrimit evropian, i cili do të ketë përgjegjësinë për të drejtuar sfidën që do të vendosë kampionin e ri të botës.

Vinçiç do të ndihmohet nga bashkëkombësit e tij Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovacic në rolin e gjyqtarëve anësorë. Ndërkohë, arbitri i katërt do të jetë Adham Makhadmeh nga Jordania, ndërsa Mohammad Alkalaf, po ashtu nga Jordania, është caktuar si gjyqtar ndihmës rezervë.

Përballja mes Spanjës dhe Argjentinës pritet të jetë kulmi i Kupës së Botës 2026, me dy nga kombëtaret më të forta të turneut që do të luftojnë për trofeun më prestigjioz në futbollin botëror.

Përzgjedhja e ekipit të gjyqtarëve nga FIFA synon të garantojë një finale të drejtuar nga një staf me përvojë në ndeshjet më të rëndësishme ndërkombëtare.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo