LSDM ka reaguar ndaj deklaratave të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke e akuzuar se mbron interesat e VMRO-DPMNE-së dhe jo të të gjithë qytetarëve.
Nga LSDM thonë se presidentja ka ngritur çështjen e votimit të diasporës, por nuk ka dhënë përgjigje për disa tema të rëndësishme që lidhen me procesin zgjedhor.
Sipas opozitës, nëse Siljanovska-Davkova ishte vërtet për një qeveri teknike që do të garantonte zgjedhje të ndershme, ajo nuk do të kishte nënshkruar dekretin për shfuqizimin e saj. Gjithashtu, LSDM e kritikon që nuk ka shprehur qëndrim të qartë për votimin elektronik dhe pretendon se VMRO-DPMNE këmbëngul në një model që zbatohet vetëm në disa vende.
LSDM akuzon gjithashtu presidenten se nuk ka reaguar për, siç thonë ata, rastet që lidhen me ish-kryeministrin Nikola Gruevski, gazetarin Dragan Pavloviq Latas dhe kthimin e objektit të njohur si “Pallati i Bardhë”, duke vlerësuar se këto zhvillime dëmtojnë sundimin e ligjit dhe barazinë para drejtësisë.
“Në vend që të trajtojë këto çështje, presidentja ka zgjedhur të flasë vetëm për pjesë të Kodit Zgjedhor që i përshtaten VMRO-DPMNE-së. Ky nuk është shqetësim për diasporën, por një qëndrim politik që mbron pushtetin, jo interesat e qytetarëve”, thuhet në reagimin e LSDM-së.