Bombardimet ruse godasin sërish Zaporizhian, tre viktima; Kievi hedh poshtë akuzat për centralin bërthamor

Tre persona kanë mbetur të vrarë nga sulmet ruse me bombardime në qytetin e Zaporizhias, në pjesën juglindore të Ukrainës.

Guvernatori i rajonit, Ivan Fedorov, konfirmoi se ushtria ruse goditi një zonë banimi me tri bomba të drejtuara. Si pasojë e shpërthimeve, disa shtëpi u shkatërruan.

Fedorov bëri të ditur se grupet e shpëtimit po punonin mes rrënojave të godinave të dëmtuara. Pamjet e shpërndara nga autoritetet vendore shfaqin banesa në flakë dhe ekipe që kryejnë kërkime e operacione shpëtimi në vendngjarje.

Paralelisht, Kievi ka mohuar pretendimet ruse se ishte përgjegjës për sulmin ku u vra inxhinieri kryesor i centralit bërthamor të Zaporizhias, objekt që aktualisht kontrollohet nga forcat ruse.

Ministria e Jashtme e Ukrainës i ka përshkruar këto akuza si të pabazuara, duke theksuar se nuk ka asnjë vërtetim nga burime të pavarura që mbështet versionin e paraqitur nga Moska.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, IAEA, reagoi duke dënuar sulmin ndaj stafit të centralit. Drejtori i përgjithshëm, Rafael Grossi, e konsideroi ngjarjen një sulm të papranueshëm kundër një impianti bërthamor dhe një rrezik të rëndë për sigurinë bërthamore. Ai kërkoi ndalimin e menjëhershëm të çdo sulmi ndaj centraleve bërthamore, pranë tyre apo kundër personelit të tyre.

Sipas Rosatom, agjencisë shtetërore ruse, një dron ukrainas goditi një automjet shërbimi në hapësirën mes centralit bërthamor të Zaporizhias dhe qytetit të Enerhodarit. Nga sulmi, sipas palës ruse, humbën jetën inxhinieri kryesor Alexander Yakovlev dhe shoferi i automjetit. Moska fajëson Ukrainën për rastin, ndërsa autoritetet ukrainase i kundërshtojnë kategorikisht këto pretendime.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo