Fondi për Efiçiencë të Energjisë hyn në fazën përfundimtare – Bozhinovska dhe Dimovska koordinojnë hapat e fundit për vënien e tij në funksion
Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi një
takim pune me drejtoreshën e Bankës Zhvillimore, Efimija Dimovska, i cili iu kushtua
aktiviteteve përfundimtare për operacionalizimin e Fondit për Efiçiencë të Energjisë – një
nga mekanizmat më të rëndësishëm për financimin e investimeve në efiçiencën
energjetike në vend.
Në takim u shqyrtuan hapat e ardhshëm për krijimin e Fondit, përgatitja e
dokumentacionit kyç, si dhe koordinimi ndërinstitucional i nevojshëm për vënien e tij të
plotë në funksion. Një theks i veçantë iu kushtua krijimit të një sistemi efikas, transparent
dhe të qëndrueshëm, i cili do të mundësojë financimin pa pengesa të projekteve për
efiçiencën energjetike.
Ministrja Bozhinovska theksoi se krijimi i Fondit përfaqëson një nga reformat më të
rëndësishme në sektorin energjetik, përmes së cilës shteti krijon një mekanizëm të
përhershëm financiar për mbështetjen e investimeve që do të kontribuojnë në uljen e
konsumit të energjisë, kostove më të ulëta dhe rritjen e pavarësisë energjetike.
Në periudhën e ardhshme, fokusi do të jetë i orientuar drejt miratimit të të gjithë
dokumentacionit të nevojshëm dhe krijimit të të gjitha mekanizmave institucionalë dhe
operacionalë që do t’i mundësojnë Fondit të fillojë financimin e projekteve për efiçiencën
energjetike.
Fondi për efiçiencë të energjisë do të përfaqësojë një instrument kyç për mobilizimin e
mjeteve financiare vendore dhe ndërkombëtare dhe orientimin e tyre drejt investimeve
në sektorin publik dhe privat. Qëllimi i tij është të sigurojë mbështetje financiare afatgjatë
për projekte që do të rrisin efiçiencën energjetike, do të kontribuojnë në uljen e
emetimeve të gazrave serrë dhe do të përshpejtojnë procesin e tranzicionit të gjelbër
energjetik.
Bashkëbiseduesit konfirmuan angazhimin për koordinim intensiv dhe bashkëpunim
partneriteti në periudhën e ardhshme, me qëllim që Fondi të bëhet një mekanizëm
plotësisht funksional, i cili do të përshpejtojë investimet në efiçiencën energjetike dhe do
të kontribuojë në përmbushjen e objektivave kombëtare dhe evropiane për klimën dhe
energjinë.
Me krijimin e Fondit për efiçiencë të energjisë, Maqedonia fiton një instrument financiar
modern, i cili do të sigurojë mbështetje të vazhdueshme për investime në një energjetikë
më të pastër, më efikase dhe më konkurruese.


