Nga 23 deri më 26 korrik mbahet edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, në organizim të Komunës së Çairit
Shkup, 13 korrik 2026
Komuna e Çairit prezantoi sot programin e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, i cili do të mbahet nga 23 deri më 26 korrik në ambientin autentik të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.
Festivali është një nismë e re kulturore e Komunës së Çairit, e krijuar me synimin për të themeluar një traditë të re artistike që promovon muzikën klasike, forcon bashkëpunimin kulturor ndërkombëtar dhe vë në pah trashëgiminë historike e kulturore të Çarshisë së Vjetër.
Nën drejtimin artistik të yjeve botërore të operës, Inva Mula dhe Deshira Ahmeti, festivali do të sjellë përmbajtje muzikore të nivelit më të lartë në një nga hapësirat historike më të rëndësishme të Shkupit.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se festivali përfaqëson një investim strategjik në kulturë dhe identitet.
“Sot nuk prezantojmë vetëm një festival të ri. Sot prezantojmë vizionin tonë që Çairi të njihet jo vetëm për zhvillimin infrastrukturor, por edhe si një hapësirë ku krijohen vlera të reja kulturore. Besojmë se kultura është ura më e fortë mes njerëzve dhe festivali ‘Çarshia’ është pikërisht një urë e tillë – ndërmjet traditës dhe bashkëkohores, ndërmjet trashëgimisë lokale dhe artit botëror.”
Ai shtoi se ambicia e Komunës së Çairit është që festivali të shndërrohet në një markë të njohur kulturore ndërkombëtare.
“Qëllimi ynë është të ndërtojmë një traditë që do të rritet çdo vit. Me këtë nismë dërgojmë një mesazh të qartë se Çairi ka kapacitet dhe vizion për të krijuar projekte me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.”
Drejtoresha artistike Inva Mula vlerësoi se ambienti historik i Çarshisë së Vjetër është një skenë e jashtëzakonshme për muzikën klasike.
“Festivali ‘Çarshia’ mbart një ide që më ka frymëzuar që nga fillimi – ta bëjë muzikën klasike pjesë të jetës kulturore të një hapësire që ndër shekuj ka bashkuar njerëz dhe kultura. Besoj se ky edicion i parë është fillimi i një historie të gjatë dhe të suksesshme.”
Sopranoja dhe bashkëdrejtoresha artistike Deshira Ahmeti theksoi se festivali ka potencial të bëhet një platformë e rëndësishme kulturore rajonale.
“Po krijojmë një festival që do të lidhë artistët më të mirë, talentet e reja dhe publikun. Synimi ynë është që çdo edicion i ardhshëm të sjellë cilësi të re, bashkëpunime të reja dhe një prani edhe më të fuqishme ndërkombëtare. Jam e bindur se ‘Çarshia’ do të bëhet një emër i njohur në hartën kulturore të rajonit.”
Gjatë programit katërditor do të performojnë artistë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa koncertet do të mbahen në hapësirat autentike të Suli Anit dhe Kurshumli Anit, duke e shndërruar Çarshinë e Vjetër në një skenë të muzikës klasike dhe dialogut kulturor.