Ukraina merr dritën jeshile për të prodhuar raketa Patriot

Ditën kur Rusia bombardoi Kievin për herë të tretë brenda një jave, presidenti ukrainas ndodhej 1.200 kilometra larg, duke kërkuar leje për të prodhuar armët që mund të ndalonin, ose së paku të zbusnin, sulmet shkatërruese të Rusisë.

Ukrainës i duhen shumë gjëra ndërsa përpiqet t’i rezistojë pushtimit të plotë rus, që ka hyrë tashmë në muajin e 52-të.

Por, mbi të gjitha, asaj i duhet një mënyrë për të zmbrapsur armët shkatërruese që Rusia po përdor kundër saj: raketat balistike.

Deri vonë, sistemi amerikan i mbrojtjes ajrore Patriot konsiderohej mënyra e vetme e besueshme për të interceptuar raketat balistike.

Por, rezervat ukrainase të raketave interceptuese për këtë sistem po shterojnë, e edhe Shtetet e Bashkuara kanë më pak rezerva, pasi shumë prej tyre janë përdorur nga forcat amerikane në Lindjen e Mesme për t’u mbrojtur nga sulmet iraniane.

Për këtë arsye, Kievi kërkon t’i prodhojë vetë raketat interceptuese për sistemin Patriot.

Por, për ta bërë këtë, i duhet miratimi i Uashingtonit.

Më 8 korrik, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mori atë që kërkonte.

“Do t’ua japim të drejtën të prodhojnë Patriot”, tha presidenti amerikan, Donald Trump, i ulur pranë Zelenskyt në margjinat e samitit të NATO-s në Turqi.

“Do t’ju japim licencën për të prodhuar Patriot. Kështu nuk do të mund të ankoheni se nuk po ju japim mjaftueshëm. Do t’ju them: ‘Prodhoni vetë’”, shtoi Trump.

Nëse presidenti amerikan e mban premtimin e tij, Ukraina do të përfitonte ndjeshëm.

Kjo do të forconte jo vetëm pozitën e presidentit Zelensky, por edhe mbrojtjen ajrore të vendit, e cila po përballet me sulme gjithnjë e më intensive.

Kievi, në veçanti, ka qenë objektiv i sulmeve të njëpasnjëshme me dronë, raketa lundruese dhe raketa balistike ruse.

Sulmi i 2 korrikut, ku u vranë më shumë se 30 persona, ishte një nga më të përgjakshmit që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.

Por, edhe pse Rusia i ka intensifikuar sulmet, Ukraina ka arritur të përmirësojë ndjeshëm mbrojtjen e saj ajrore gjatë luftës.

Forcat ajrore ukrainase kanë rritur aftësinë për të rrëzuar dronët dhe raketat lundruese ruse, ndërsa industria vendase e mbrojtjes ka shtuar prodhimin e sistemeve të reja të armatimit, përfshirë ato për mbrojtjen ajrore.

Që nga janari, sipas vlerësimeve të organizatës londineze Qendra për Qëndrueshmërinë e Informacionit, Ukraina ka arritur të rrëzojë 90 për qind të dronëve rusë me rreze të gjatë veprimi dhe 80 për qind të 722 raketave lundruese të lëshuara nga Rusia.

Por, situata është krejt ndryshe kur bëhet fjalë për raketat balistike.

Nga 522 raketat balistike që Rusia ka lëshuar këtë vit, rreth 70 për qind kanë arritur objektivat e tyre, pa u ndalur nga mbrojtja ajrore ukrainase.

Arma kryesore balistike e Rusisë është raketa tokë-tokë Iskander-M, me rreze veprimi rreth 500 kilometra dhe shpejtësi deri në 7 mach, që i mundëson të godasë objektiva brenda pak minutash.

Gjatë sulmit të 6 korrikut, sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, asnjë nga 23 raketat Iskander-M nuk është rrëzuar.

Po ashtu, gjashtë raketa hipersonike Tsirkon goditën objektivat e tyre, pasi Ukraina nuk kishte mjaftueshëm raketa interceptuese për t’i ndalur.

“Për t’i rrëzuar raketat balistike duhen mjetet e duhura. Ne kemi mjaft sisteme, por ajo që na mungon, është një furnizim i qëndrueshëm me raketa interceptuese”, tha zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, koloneli Yuriy Ihnat, pas sulmit të 2 korrikut.

Sipas tij, Rusia po e shfrytëzon mungesën e raketave interceptuese Patriot, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në nivel global.

“Rusia e di se Ukraina – dhe në fakt e gjithë bota – po përballet me mungesë serioze të raketave interceptuese Patriot. Pikërisht për këtë arsye, ajo mbështetet gjithnjë e më shumë te sulmet me raketa balistike”, tha Ihnat.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo