Në Kosovë do të organizohen një sërë aktivitetesh për shënimin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke reflektuar marrëdhëniet e ngushta ndërmjet dy vendeve.
E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, pritet të organizojë një pritje solemne me rastin e këtij jubileu të rëndësishëm për shtetin amerikan.
Në prag të festimeve, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka vendosur një flamur të madh amerikan në hapësirat e saj, si pjesë e aktiviteteve simbolike që i paraprijnë shënimit të përvjetorit.
Ndërkohë, aktivitete për këtë përvjetor janë paralajmëruar edhe në nivel lokal në Kryeqytet.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se më 2 korrik, nën patronatin e Kryeqytetit, do të organizohet ngjarja me titull “America and Kosova – A Freedom Story for the Next 250 Years”.
Sipas njoftimit, aktiviteti do të nisë në orën 10:00 dhe do t’i kushtohet historisë së lirisë, partneritetit dhe miqësisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, si dhe bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy vendeve.