Serbia planifikon që nga marsi i vitit 2027 të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, i cili do të zgjasë 75 ditë, njoftoi presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Ai deklaroi se para fillimit të rekrutimit duhet të përfundojnë procedurat administrative, ligjore dhe logjistike. Sipas paralajmërimeve të deritanishme, shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të përfshijë burrat nën moshën 30 vjeç.
”Në mars shkojmë në kryerjen e një shërbimi ushtarak shumë të shkurtër. Kjo do të forcojë më tej kapacitetet tona mbrojtëse”, deklaroi Vuçiq të dielën, gjatë vizitës në aeroportin ushtarak “Kolonel-pilot Milenko Pavlloviq” në Batajnicë.
Propozimi parasheh 60 ditë stërvitje në kazermë dhe 15 ditë të tjera stërvitje në terren. Megjithatë, rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak duhet të formalizohet me ligj dhe të votohet në Kuvendin e Serbisë.
Serbia e ndërpreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në fillim të vitit 2011, kur kaloi në përbërje të ushtrisë profesioniste. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë në janar të vitit 2024 nisi iniciativën për rikthimin e rekrutimit, ndërsa Vuçiq në shtator të po atij viti dha pëlqimin për rivendosjen e tij.
Njoftimi u bë gjatë prezantimit të pajisjeve të reja dhe të modernizuara ushtarake në Batajnicë, ku u shfaqën avionë, helikopterë, sisteme raketore dhe armatime të tjera me të cilat disponon ushtria serbe.