Stërvitja ushtarake e Serbisë sot, Dashevci zbulon qëllimet e Vuçiqit

FotoilustrimDashevci: Është vazhdë e luftës së tyre hibride për konsumin e tijë të brendshëm sepse ballafaqohet me probleme të brendshme tash e sa vite
Ushtria e Serbisë do të zhvillojë më 28 qershor një stërvitje ushtarake në poligonin “Pasuljanske Livade”, në ditën kur në Serbi shënohet Vidovdani, që përkon me përvjetorin e Betejës së Kosovës.

Në kuadër të aktivitetit pritet të prezantohet edhe armatimi më i ri i forcave të armatosura serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se kjo do të jetë stërvitja më e rëndësishme e organizuar deri më tani nga ushtria serbe.

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se stërvitja ushtarake e Serbisë më 28 qershor në poligonin “Pasuljanske Livade” nuk paraqet rrezik për Kosovën, pasi zhvillohet në territorin e Serbisë.

Sipas tij, Aleksandar Vuçiç e shfrytëzon shënimin e Vidovdanit për propagandë dhe dezinformim, duke e paraqitur stërvitjen si ngjarje të jashtëzakonshme ushtarake.

“Ushtria e Serbisë do të mbajë më 28 qershor një stërvitje ushtarake në poligonin “Pasuljanske Livade”, mu në atë poligon ku kanë ushtruar edhe ata që e sulmuan Republikën e Kosovës me sulmin në Banjskë.

Ky ushtrim në aspektin e sigurisë nuk ka asnjë rol të rëndësishëm mendoj unë sepse Serbia e ka marrë mesazhin e kjartë nga bashkësia ndërkombëtare për sulmin në Banjskë dhe dorëzimin e terroristëve.

Këtë Serbia e dinë mirë.

Pra, nuk shoh asnjë rrezik të vetëm sa i përket këtij ushtrimi atje në vendin e tyre, sepse janë në teritorin e tyre.

Dhe, si gjithmonë ose si çdo vitë në ditën e Betejës së Kosovës, të cilën në Serbi shënohet si Vidovdani. Presidenti Aleksandar Vuçiq përdorë luftën e egër hibride, pra, propagandon dhe dezinformon opinionin e tij atje kinse bëhet fjalë për stërvitjen më të rëndësishme të deritanishme, ku do të prezantohet edhe armatimi më i ri i ushtrisë serbe etj”, ka thënë ai.

Dashevci shton se stërvitja është pjesë e luftës hibride të Serbisë për konsum të brendshëm, duke theksuar se zgjedhja e 28 qershorit ka mesazh simbolik dhe politik për rajonin, veçanërisht për Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Ai u bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë me vendosmëri ndaj, siç i cilëson ai, provokimeve të vazhdueshme të Beogradit.

“Pra, është vazhdë e luftës së tyre hibride për konsumin e tijë të brendshëm sepse ballafaqohet me probleme të brendshme tash e sa vite.

Zgjedhja e 28 qershorit për zhvillimin e kësaj stërvitjeje propaganduese është një mesazh simbolik afatëmesëm dhe afatëgjatë por edhe politik për rajonin e Ballkanit, veçanërisht për Kosovën ose Bosnjë dhe Hercegovinën.

Unë mendoj që bashkësia ndërkombëtare duhet të reagoj zëshëm dhe me vendosmëri ndaj këtyre provokimeve të njëpasnjëshme që i bënë ky establishment në Serbi” – përfundon ai.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo