Koci paralajmëron qytetarët që kalojnë nëpër Serbi: Postimet në rrjete sociale mund t’ju sjellin probleme





Avokati Arianit Koci ka apeluar për kujdes ndaj qytetarëve që udhëtojnë ose kalojnë transit nëpër Serbi, duke i paralajmëruar për pasojat e mundshme ligjore lidhur me përmbajtjet e publikuara në rrjetet sociale.

“Për ata që udhëtojnë nëpër Serbi, nëse kaloni tranzit ose qëndroni në Serbi, keni parasysh se komentet që mund të keni publikuar në rrjete sociale, forume apo platforma të tjera publike në internet – nëse janë fyese, kërcënuese ose mund të interpretohen si nxitje e urrejtjes, mund të kenë pasoja juridike”, ka shkruar Koci.

Ai shton se përmbajtje të tilla mund të tërheqin vëmendjen e autoriteteve serbe.

“Në disa raste, përmbajtje të tilla mund të jenë objekt i interesimit të autoriteteve serbe”, ka deklaruar ai.

Koci thekson se, varësisht nga legjislacioni, mund të ketë edhe masa ndaj udhëtarëve.

“Varësisht nga rrethanat konkrete dhe legjislacioni që zbatohet, mund të ndaloheni, të intervistoheni dhe, nëse ekziston bazë ligjore, të procedoheni penalisht ose për kundërvajtje”, ka paralajmëruar ai.

Ai ka bërë thirrje që mesazhi të shpërndahet për vetëdijesim të qytetarëve. /Telegrafi/

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo