“Vidovdani nuk u zgjodh rastësisht” – Racaj analizon mesazhin pas stërvitjes ushtarake të Serbisë

FotoilustrimRacaj: Stërvitja ushtarake e Serbisë në Vidovdan nuk është rutinë, por mesazh politik dhe strategjik
Ushtria e Serbisë do të zhvillojë sot, më 28 qershor, një stërvitje ushtarake në poligonin “Pasuljanske Livade”, në ditën e Vidovdanit, që lidhet me Betejën e Kosovës. Në këtë aktivitet pritet të prezantohet edhe armatimi më i ri i forcave të armatosura serbe.

Lidhur me këtë, Gjeneral Major Prof. Dr. Muhamet Racaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se vendimi i Serbisë për të organizuar një stërvitje ushtarake më 28 qershor, në ditën e Vidovdanit, nuk mund të konsiderohet thjesht një aktivitet i zakonshëm ushtarak.

Racaj është sprehur se kjo bart mesazhe të qarta politike dhe strategjike.

“Vendimi i Serbisë për të organizuar një stërvitje të madhe ushtarake pikërisht më 28 qershor, në ditën e Vidovdanit, nuk mund të shihet vetëm si një aktivitet rutinë ushtarak. Përzgjedhja e kësaj date bart një simbolikë të fuqishme historike dhe politike, e cila synon të dërgojë mesazhe të shumëfishta, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë rajonal”, ka thënë ai.

Sipas Racajt, organizimi i kësaj stërvitjeje është një demonstrim i fuqisë ushtarake të Serbisë dhe një sinjal i drejtpërdrejtë për rajonin.

“Së pari, kjo stërvitje paraqet një demonstrim të kapaciteteve ushtarake dhe të fuqisë shtetërore të Serbisë. Prezantimi i armatimit më të ri në një datë me peshë të veçantë historike synon të projektojë imazhin e një shteti me aftësi të larta mbrojtëse – sulmuese ushtarake, duke dërguar sinjale edhe ndaj vendeve fqinje, veçanërisht Republikës së Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Së dyti, zhvillimi i kësaj stërvitjeje duhet parë edhe në kontekstin e situatës së brendshme politike në Serbi. Në një periudhë të shoqëruar me protesta dhe pakënaqësi të qytetarëve, përfshirë demonstratat e studentëve, demonstrimi i forcës ushtarake mund të interpretohet si një përpjekje për të forcuar autoritetin e institucioneve shtetërore, për të mobilizuar opinionin publik rreth narrativës patriotike dhe për ta zhvendosur vëmendjen nga sfidat e brendshme”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Racaj ka theksuar se stërvitja përçon edhe një mesazh ndaj bashkësisë ndërkombëtare, por ka paralajmëruar se përdorimi i simbolikës historike në një rajon të ndjeshëm mund të ndikojë negativisht në sigurinë rajonale.

“Njëkohësisht, kjo stërvitje përçon edhe një mesazh strategjik ndaj faktorëve ndërkombëtarë se Serbia synon të mbetet një aktor me peshë ushtarake në Ballkan dhe të ruajë kapacitetet e saj për të mbrojtur interesat kombëtare sipas vizionit të saj politik.

Megjithatë, në kushtet e një rajoni që ende përballet me sfida të sigurisë, përdorimi i simbolikës historike dhe demonstrimet e fuqisë ushtarake kërkojnë kujdes të veçantë. Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor ndërtohet mbi dialogun, bashkëpunimin rajonal dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare, ndërsa retorika dhe simbolika që mund të interpretohen si kërcënuese rrezikojnë të rrisin mosbesimin dhe tensionet në rajon”, ka përfunduar Racaj për “Bota sot”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo