Atentati ndaj ish prokurorit Ndoi/ GJKKO dënon me burg përjetë Plaurent Dervishajn, 35 vite burg Julian Meçajn





Gjykata e Posaçme pranon kërkesën e SPAK, dënon me burg përjetë Plaurent Dervishajn dhe me 35 vite burg Julian Meçajn.

Dervishaj u shpall fajtor si organizator i atentatit te mbikalimi i Shkozetit, ngjarje e shënuar në 1 nëntor të vitit 2019 tek mbikalimi i Shkozetit, ku mbeti i vrarë Andi Maloku dhe të plagosur ish prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho. Ndërsa Julian Meçaj ka qenë pjesëmarrës në këtë atentat.

Ndaj dy të akuzuarve të cilët u gjykuan në një proces të ndarë nga pjesa tjetër e personave që u përfshinë në të njëjtën ngjarje, rëndojnë vepra të rënda penale duke nisur nga vrasja me paramendim deri tek vrasja e mbetur në tentativë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Për të njëjtën ngjarje, janë ende në proces gjykimi Amar Shkëmbi dhe Bledar Polovina. Ky i fundit ndodhet në arrati, teksa gjyqi ndaj tij po zhvillohet në mungesë.

Me vendim të formës së prerë për atentatin e 1 nëntorit të 2019, janë dënuar më herët Redjan Rraja me burgim përjetë, Ramazan Rraja me 9 vite burg, dënim që u reduktua në 6 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ndërsa me 5.4 vite është dënuar Genti Ndërjaku, me 4.8 Bashkim Haxhia dhe Endrit Sinani si dhe me 4 vite e 4 muaj Julian Pjetri.

Për këtë ngjarje ka dhënë dëshmi dy herë në Gjykatën e Posaçme ish prokurori i Durrësit njëherësh deputeti i Partisë Demokratike Arjan Ndoja, i cili është shprehur se i ka të qarta motivet e qëllimit me armë në drejtim të automjetit të tij dhe se ia ka lënë në dorë organit të akuzës të zbardhi ngjarjen.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo