Istikball Sport synon majat në Durrës – Habil Livoreka udhëheq talentët tetovarë drejt suksesit ndërkombëtar
Klubi Sportiv Shqiptar Istikball Sport nga Tetova do të jetë pjesë e edicionit të 21-të të Turneut Ndërkombëtar të Futbollit “Vllaznimi Cup Durrës 2026”, një nga aktivitetet më të organizuara dhe më prestigjioze për grupmoshat e reja në rajon, që zhvillohet nga 25 deri më 29 qershor informon Tetovasot.
Nën drejtimin e koordinatorit Habil Livoreka, Istikball Sport do të paraqitet me dy grupmosha, U13 dhe U15 ndërsa trener është edhe Hakan Mustafa që ka qenë me ekipin edhe vitin e kaluar . Vlen të theksohet se Leard Salihi në atë kompeticion u shpall golëshënuesi më i mirë me plot 16 gola. Ekipi U13 udhëton në Durrës me statusin e nënkampionit të edicionit të kaluar në konkurencën e 40 ekipeve duke eliminuar madje edhe Iraklisin e Greqisë, ndërsa grupmosha U15 konsiderohet si një nga skuadrat më cilësore të klubit, me futbollistë të talentuar dhe me potencial të madh për të ardhmen.
Përveç organizimit të shkëlqyer që karakterizon “Vllaznimi Cup” prej më shumë se dy dekadash, përgatitjet dhe organizimi nuk mungojnë as nga ana e Istikball Sport, ku koordinatori Habil Livoreka është kujdesur që çdo detaj të jetë në nivelin e duhur për paraqitjen sa më dinjitoze të klubit tetovar.
Habil Livoreka deklaroi:
“Për ne është kënaqësi dhe privilegj të jemi pjesë e një turneu me traditë 21-vjeçare si ‘Vllaznimi Cup’. Istikball Sport po vjen në Durrës me ambicie të mëdha, por mbi të gjitha me dëshirën për t’u dhënë futbollistëve tanë mundësinë të matin forcat me akademi të ndryshme dhe të fitojnë përvojë të vlefshme ndërkombëtare. U13 ka dëshmuar cilësi duke qenë nënkampion vitin e kaluar, ndërsa U15 ka një grup futbollistësh shumë premtues. Besoj se do ta përfaqësojmë me dinjitet Tetovën dhe klubin tonë. Falënderoj organizatorët për mikpritjen dhe përkushtimin që e bën këtë turne një shembull të organizimit sportiv në rajon.”
Pritet që Istikball Sport të jetë një nga skuadrat që do të tërheqë vëmendje në këtë turne, duke vazhduar punën e suksesshme me talentët e rinj dhe promovimin e futbollit cilësor nga Tetova në arenën ndërkombëtare.Tetovasot
