REVISTA “DITURIA ISLAME” DHE RRUGËTIMI PËRNDRITËS NË MËRGATË

Bashkim Aliu
-Hyrje
Rrugëtimi pesëdekadësh i revistës Dituria Islame nuk do të ishte i plotë pa u përfshirë
edhe ajo pjesë e mendimit që kjo revistë e ka zhvilluar në Perëndim, përmes zërit, përvojës dhe
veprimtarisë së mërgatës shqiptare myslimane. Revista Dituria Islame shquhet për rolin e saj jo
vetëm në trojet etnike shqiptare, por edhe në mërgatë, si pjesë e pandashme e trupit të kombit që
u detyrua të marrë rrugën e kurbetit dhe të theksojë praninë e tij në qendrat më të mëdha të
Perëndimit. Kjo revistë, përmes fjalës së shkruar, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe
kultivimin e identitetit fetar, kombëtar dhe integrues të shqiptarëve myslimanë në mërgatë. Emri
i saj nuk është parë vetëm si titull i një reviste, por edhe si një urë lidhëse ndërmjet vendlindjes
dhe mërgatës që ka jetuar dhe vepruar jashtë atdheut.
Duke qenë organ i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, ajo ka qenë dhe vazhdon
të jetë një burim i pasur me shkrime mbi besimin, parimet e Islamit, moralin, historinë islame,
edukimin, jetën familjare, hallallin dhe haramin, mendimin islam, çështjet juridike islame etj.,
duke kontribuar qartë dhe në mënyrë efektive që mërgata shqiptare myslimane të mbetet e lidhur
me vlerat islame, tradicionale dhe kombëtare. Autorësia e këtyre shkrimeve, e përbërë nga
studiues dhe njohës të shquar me kredibilitet ndërkombëtar, rajonal dhe vendor, i ka dhënë
revistës një peshë të veçantë në diskursin intelektual shqiptar.

-– Në shërbim të gjuhës shqipe
Diskursi i artikuluar në faqet e kësaj reviste shtrihet në dimensione fetare, kulturore,
edukative dhe kombëtare, ndikimi i të cilëve ka qenë i dukshëm jo vetëm në kultivimin e
vetëdijes fetare, por edhe në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe traditave
kombëtare shqiptare ndër brezat e rinj të mërgatës shqiptare në vende të ndryshme të Evropës
dhe më gjerë. Këta breza, të rritur në kontekste të ndryshme shoqërore e kulturore në Evropë dhe
më gjerë, janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me sfida të shumta, ndër të cilat më e
theksuara mbetet ajo e asimilimit dhe e zbehjes së identitetit fetar dhe gjuhësor. Në dritë të këtij
realiteti, është më se e qartë se Dituria Islame nuk ka vetëm funksion informues, por është

2

shndërruar në një instrument të rëndësishëm të kultivimit të identitetit në rrethanat e jetesës në
ambient të ndryshëm kulturor dhe sfidues mërgatë.
Revista Dituria Islame ka qenë shumë efektive dhe mjaft efikase në kultivimin e gjuhës
shqipe në mërgatë, pasi korpusi i pasur i shkrimeve cilësore, që kanë trajtuar tema teologjike,
historike, etike, shoqërore etj., si dhe gjuha standarde e përdorur në këto shkrime, kanë shërbyer
si burim mësimi dhe edukimi për grupmosha të ndryshme të shqiptarëve myslimanë në mërgatë.
Njëkohësisht, përmes leximit të shkrimeve të kësaj reviste, ata kanë ruajtur dhe kultivuar edhe
gjuhën amtare shqipe. Si në ambientin familjar, ashtu edhe në institucionet edukative të qendrave
islame shqiptare në mërgatë, brezat e rinj janë rritur me gjuhën shqipe përmes teksteve dhe
përmbajtjeve të Diturisë Islame. Kjo ka ndikuar që ata të forcojnë lidhjen me gjuhën, kulturën
dhe traditat e vendlindjes, duke e bërë gjuhën një urë të gjallë lidhëse ndërmjet brezave dhe
hapësirave gjeografike.

– Dituria Islame dhe kohezioni intra-komunitar
Fjala e shkruar shqipe në faqet e Diturisë Islame ka pasur një ndikim të dukshëm dhe ka vepruar
fuqishëm edhe në drejtim të kohezionit intra-komunitar, si dhe në forcimin e unitetit dhe
solidaritetit mes shqiptarëve në mërgatë, të cilët kanë ardhur nga treva të ndryshme. Pikërisht
përmes shkrimeve që trajtojnë tolerancën fetare dhe bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve të
ndryshme fetare brenda etnisë shqiptare, Dituria Islame ka kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e
vetëdijes kolektive dhe unitetit ndër shqiptarë, si parakusht për ecjen e përbashkët drejt realizimit
të synimeve tona kombëtare në çdo periudhë historike.
E gjithë kjo është reflektuar qartë në themelimin e qendrave islame shqiptare të përbashkëta në
mërgatë, pa dallime krahinore, rajonale apo lokale, si dhe më pas në aksionet e suksesshme dhe
masive të grumbullimit të ndihmave për raste të ndryshme në vendlindje, veçanërisht në
mbështetjen e luftërave të drejta të shqiptarëve. Në këtë kuadër, një element i rëndësishëm që e
forcon rolin e Diturisë Islame në kohezionin intra-komunitar ka qenë edhe promovimi i unitetit
dhe bashkëpunimit mes xhamive shqiptare dhe organizatave të tjera shqiptare në mërgatë, si dhe
promovimi i aktiviteteve të mërgatës shqiptare.

– Burim i dijes, edukimit dhe promovimit të teologëve islamë shqiptarë

3

Dituria Islame ka qenë dhe mbetet një dritare e rëndësishme për teologët islamë në
Perëndim, pasi përmes faqeve të saj, gjatë gjithë kësaj kohe, ata kanë pasur qasje në tema dhe
autorë të shquar, të cilët janë emra të respektuar të mendimit bashkëkohor islam. Rubrikat e saj
kanë qenë dhe mbeten një platformë e rëndësishme për artikulimin dhe zhvillimin e mendimit
bashkëkohor islam ndër shqiptarët në përgjithësi, dhe veçanërisht ndër shqiptarët në mërgatë.
Revista ka trajtuar tema aktuale nga fusha të ndryshme që i kanë prekur myslimanët në
Perëndim, duke u shndërruar kështu në një referencë të besueshme për zhvillimin e mendimit
bashkëkohor islam të teologëve shqiptarë.
Faqet e kësaj reviste kanë qenë të pasura me tema që kanë përfshirë debatet e zhvilluara
në nivele të ndryshme akademike, si dialogu ndërfetar dhe brenda-fetar, globalizmi, moderniteti
dhe ndikimi i tij në jetën e myslimanëve në përgjithësi dhe në Perëndim në veçanti, marrëdhëniet
e Evropës me Islamin, e ardhmja e myslimanëve në Evropë, si dhe e ka evidentuar kontributin e
myslimanëve në shkencë, kulturë dhe civilizim, duke e vendosur këtë trashëgimi në një kontekst
të gjerë historik dhe bashkëkohor.
Në të njejtën kohë, në raport me teologët islamë – por jo vetëm – Dituria Islame ka
shërbyer si një medium i hapur për publikimin e pikëpamjeve, qëndrimeve dhe analizave të tyre
për çështje fetare dhe të natyrave të tjera, duke kontribuar kështu në edukimin dhe vetëdijësimin
e mërgatës. Përmes temave të publikuara, mërgata ka pasur mundësi të njihet me intelektualët
islamë shqiptarë dhe kontributin e tyre në formësimin e mendimit bashkëkohor islam te
shqiptarët.
Teologët islamë shqiptarë kanë ofruar për mërgatën analiza mbi çështje dhe problematika
që lidhen me rininë, edukimin, familjen, tradicionalizmin dhe modernizmin, integrimin dhe
asimilimin, pjesëmarrjen dhe izolimin, si dhe sfidat e shoqërisë moderne.
Me këtë rast, duhet theksuar se Dituria Islame ka qenë e hapur edhe për studiues,
intelektualë dhe akademikë shqiptarë jashtë proveniencës teologjike, të cilët, përmes faqeve të
saj, kanë kontribuar në edukimin, ngritjen, vetëdijësimin dhe avancimin e mërgatës shqiptare në
fusha të ndryshme, me çka Dituria Islame është bërë një platformë gjithëpërfshirëse dhe
multidisiplinare.

– Metodologjia e revistës, garanci e suksesit dhe pranueshmërisë

4

Rrugëtimi i fjalës së shkruar, në veçanti i asaj teologjike islame dhe i analizave religjioze,
përbën një sfidë më vete në Perëndim, ku liria e mendimit, të drejtat e njeriut, kohezioni
shoqëror, toleranca fetare dhe multikulturalizmi përbëjnë themelin e mendësisë moderne dhe të
kosmopolitizmit. Nisur nga kjo, shkrimet që gjejnë hapësirë në këtë kontekst – ku është e
vendosur edhe mërgata shqiptare myslimane – duhet të jenë të ravijëzuara qartë nga këto parime,
gjë që Dituria Islame ka arritur ta realizojë me sukses.
Kjo për faktin se shkrimet e publikuara në këtë revistë kanë artikuluar qartë dhe pa
ekuivoke ndjekjen e një metodologjie të mesme (mesatare) në të kuptuarit e teksteve fetare dhe
të misionit religjioz në shoqëritë moderne, multikulturore, multireligjioze, multietnike dhe të
globalizuara. Autorët, përmes shkrimeve të tyre, kanë qenë të zëshëm në promovimin e mendimit
reformues, në distancimin nga diskurset dhe narrativat e skajshme, si dhe nga mendësia izoluese
dhe prirjet paragjykuese ndaj tjetrit.
Mërgata në përgjithësi, dhe teologët islamë shqiptarë në mërgatë në veçanti, përmes fjalës
së shkruar në faqet e Diturisë Islame, janë orientuar drejt një kuptimi proaktiv të thirrjes islame,
në funksion të bashkëveprimit dhe bashkëpunimit me faktorët relevantë fetarë dhe shoqërorë në
hapësirën perëndimore, ku ata jetojnë dhe veprojnë.
Ndërtimi i një qëndrimi tolerant dhe bashkëjetues me tjetrin dhe të ndryshmin, si parim i
rrugës së mesme në të kuptuarit e Islamit në përgjithësi, dhe i veprimtarisë islame në kontekst
multireligjioz dhe sekular në veçanti, ka qenë një ndër shtyllat kryesore të pranisë dhe ndikimit të
suksesshëm të temave të trajtuara në Dituria Islame dhe të pikëpamjeve të autorëve të saj në
hapësirën perëndimore në përgjithësi dhe në mërgatën shqiptare myslimane në veçanti.

-Dituria Islame dhe koncepti i integrimit
Dituria Islame përfaqëson një medium kredibil dhe me peshë në mërgatën shqiptare dhe
në Perëndim në përgjithësi, me theks të veçantë në ndjekjen e një metodologjie mesatare dhe
objektive në konceptimin e nocionit “integrim”. Shkrimet dhe autorët kanë mbështetur një
koncept afirmativ të integrimit, duke e dalluar atë qartë nga asimilimi dhe izolimi, çka ka sjellë
kontribut jo vetëm për komunitetin mysliman shqiptar, por edhe për vetë shoqëritë evropiane.
Pa dyshim, parë nga ky aspekt, revista përbën një faktor të rëndësishëm për shoqërinë në
tërësi, dhe jo vetëm për komunitetin mysliman shqiptar. Qëndrimet e skajshme dhe jo objektive
në formësimin e qasjes ndaj integrimit paraqesin barriera për pranueshmërinë e tyre nga mërgata

5

shqiptare myslimane dhe nga komunitetet myslimane në Perëndim në përgjithësi, pasi pengojnë
zhvillimin e tyre në përputhje me nevojat e kohës dhe aspiratat e gjeneratave të reja në shoqëritë
bashkëkohore dhe në një botë të globalizuar.
Duke iu referuar shembujve nga koha e të Dërguarit të Allahut dhe pranisë së
myslimanëve në shoqëri me shumicë jomyslimane gjatë hixhretit (mërgimit) në Abisini, si
shembujve tjerë nga historia islame, autorët kanë arritur ta formësojnë në mënyrë të suksesshme
konceptin e integrimit në përputhje me mësimet islame, sipas metodologjisë së mesme. Kjo ka
shërbyer si mbështetje e fuqishme për praninë e myslimanëve në Perëndim dhe për rolin e tyre
aktiv në shoqëritë perëndimore, ku mërgata shqiptare ka një kontribut të veçantë.
Duke promovuar autorë si: Jusuf el-Karadavi, Muhamed Muteveli Sha’rawi, Muhamed
Gazali, Ali Sabuni, Ismail Raxhi Faruki, Muhamed Asad, Murad Hofmann, Tarik Ramadan,
Vehbi Ismaili, Ibrahim Dalliu, Hafiz Ali Korça, si dhe teologë shqiptarë myslimanë që veprojnë
në Perëndim, Dituria Islame ka trasuar një rrugë të qëndrueshme në avancimin e metodologjisë
mesatare dhe reformuese, e cila synon të sigurojë një vend të merituar për myslimanët në
shoqëritë perëndimore.
Në përgjithësi, nga leximi i rubrikave, studimeve, analizave dhe qasjeve të publikuara në
faqet e revistës Dituria Islame gjatë rrugëtimit të saj pesëdekadësh me lexuesin shqiptar, mund të
konkludohet se ajo përfaqëson një ndër projektet më të suksesshme intelektuale dhe kulturore të
shqiptarëve myslimanë, si në vendlindje ashtu edhe në mërgatë. Ajo ka arritur të ndërtojë ura
komunikimi, të ruajë identitetin dhe të promovojë vlera që i rezistojnë kohës dhe sfidave të
globalizimit.
Kjo, sepse Dituria Islame e ka ndërtuar politikën e saj redaktuese mbi parimet e unitetit
përkundër përçarjes, bashkëpunimit përkundër izolimit, si dhe rrugës së mesme përkundër
qëndrimeve të skajshme. Pikërisht për këtë arsye, rrugëtimi i saj mbetet një model i suksesshëm i
ndërthurjes së fesë, kulturës dhe identitetit në një botë gjithnjë e më komplekse.
Thënë përmbledhtas, revista Dituria Islame ka pasur dhe vazhdon të ketë një ndikim të
dukshëm në jetën fetare, kulturore dhe kombëtare të mërgatës shqiptare myslimane. Ajo mbetet
një burim i rëndësishëm i dijes dhe një mjet i fuqishëm për ruajtjen e identitetit shqiptar dhe
islam, si dhe për promovimin e integrimit si një përcaktim natyror dhe strategjik i shqiptarëve
myslimanë në mërgatë. Përmes misionit të saj edukativ dhe kulturor, revista ka ndihmuar që
shqiptarët jashtë atdheut të mos humbin lidhjen me fenë, gjuhën dhe traditat e tyre.

6

Referenca:
Bashkësia Islame e Kosovës, Dituria Islame, numra të ndryshëm.
Castells, Manuel, The Power of Identity, Blackwell, 1997.
Tariq Ramadan, Western Muslims and the Future of Islam, Oxford University Press, 2004.
J. Cesari, When Islam and Democracy Meet: Muslims in Europe and in the United States,
Palgrave Macmillan, 2004.
Yusuf al-Qaradawi, Fi Fiqh al-Aqalliyyat al-Muslima, Dar al-Shuruq, Kajro, 2001.
Bassam Tibi, Islam in Europe: Religion and Politics, Routledge, 2010.
Esposito, John L., Islam: The Straight Path, Oxford University Press, 1998.
Cesari, Jocelyne, When Islam and Democracy Meet, Palgrave Macmillan, 2004.
Mandaville, Peter, Global Political Islam, Routledge, 2007.
Kamali, Mohammad Hashim, The Middle Path of Moderation in Islam, Oxford, 2015.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo