Ismail Ismaili udhëheq Shkëndijën U17 drejt trofeut në Tiranë





Akademia e KF Shkëndija vazhdon të prodhojë suksese, ndërsa këtë herë në qendër të vëmendjes është trajneri Ismail Ismaili, i cili drejtoi ekipin U17 drejt triumfit në turneun ndërkombëtar të organizuar nga “Mati Sport Events” në Tiranë informon Tetovasot.
Nën drejtimin e Ismailit, kuqezinjtë e rinj zhvilluan një turne pothuajse perfekt, duke u kurorëzuar kampionë pas fitores 2-0 në finale ndaj Vorës. Golat e Fisnik Amitit dhe Amar Akikit vulosën suksesin e ekipit tetovar, i cili gjatë gjithë garës tregoi organizim, disiplinë dhe mentalitet fitues.
Shifrat flasin qartë për dominimin e Shkëndijës U17. Skuadra realizoi plot 16 gola, ndërsa pranoi vetëm një, duke dëshmuar punën e madhe që është bërë në aspektin taktik dhe fizik nga stafi teknik i udhëhequr nga Ismail Ismaili.
Finalja kishte edhe një moment të veçantë emocional, pasi para fillimit të ndeshjes u intonua himni kombëtar, duke i dhënë ngjarjes një atmosferë festive dhe patriotike.
Ky trofe konsiderohet një tjetër dëshmi e punës së suksesshme që po zhvillohet në akademinë e Shkëndijës, ku trajnerë si Ismail Ismaili po kontribuojnë në formimin e brezave të rinj dhe në ndërtimin e futbollistëve që pritet të jenë e ardhmja e klubit dhe futbollit shqiptar.
Me këtë sukses në Tiranë, Ismail Ismaili dhe talentët e tij kanë dërguar një mesazh të qartë: Shkëndija vazhdon të mbetet një nga adresat më serioze për zhvillimin e futbollistëve të rinj në rajon.TS

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo