Shkëndija e Haraçinës ndeshjet si vendas do t’i zhvillojë në Çair





Shkëndija e Haraçinës do t’i zhvillojë ndeshjet si vendas në stadiumin e Çairit gjatë sezonit të ri në Ligën e Parë. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi kuqezi, i cili ka konfirmuar arritjen e një marrëveshjeje zyrtare me drejtuesit e KF Shkupi.

Përmes një njoftimi publik, Shkëndija ka shprehur mirënjohjen ndaj kryesisë së KF Shkupi për bashkëpunimin dhe korrektësinë e treguar, si dhe ndaj kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, për mbështetjen në realizimin e kësaj marrëveshjeje. “Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se KF Shkëndija Haraçinë ka arritur marrëveshje zyrtare me kryesinë e KF Shkupi që të gjitha ndeshjet si vendas për sezonin e ri t’i zhvillojmë në stadiumin e Çairit”, thuhet në reagimin e klubit.

Nga Shkëndija nuk kanë lënë pa përmendur as raportet e mira me klubin nga Çairi, të cilin e kanë cilësuar si “klub vëlla”, duke i uruar rikthim sa më të shpejtë në elitën e futbollit vendor.

“Klubit tonë vëlla, KF Shkupi, i urojmë me gjithë zemër suksese dhe një rikthim sa më të shpejtë në elitën e futbollit tonë – aty ku e ka vendin dhe ku takon historia e tij”, thuhet më tej në njoftim. Në fund, drejtuesit e Shkëndijës kanë bërë thirrje që tifozët të mbështesin skuadrën në sezonin e ri, duke i ftuar ata në tribunat e stadiumit të Çairit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo