Mesfushori portugez Bernardo Silva nuk do të vendosë për të ardhmen e tij para Kupës së Botës, siç ishte planifikuar fillimisht.
Lajmin e ka bërë të ditur gazetari i njohur Fabrizio Romano, i cili ka zbuluar se ylli portugez ka ndryshuar planet dhe tani dëshiron të përqendrohet plotësisht te përfaqësuesja e Portugalisë përpara se të marrë një vendim për karrierën e tij në nivel klubesh.
Fillimisht, Silva synonte të qartësonte të ardhmen e tij para nisjes së Botërorit, por situata aktuale ka bërë që ai ta shtyjë këtë vendim për pas përfundimit të turneut.
“Bernardo do të vendosë pas Kupës së Botës”, ka deklaruar agjenti i tij, Jorge Mendes, për Fabrizio Romanon.
Deklarata e Mendes pritet të nxisë edhe më shumë spekulimet rreth së ardhmes së mesfushorit portugez, i cili prej kohësh është lidhur me një largim të mundshëm nga Manchester City.
Pavarësisht interesimit të raportuar nga disa klube të mëdha evropiane dhe arabe, Silva duket se dëshiron të shmangë çdo shpërqendrim në këtë moment, duke e vendosur fokusin te paraqitja me Portugalinë në Kupën e Botës.
Vendimi përfundimtar për të ardhmen e 31-vjeçarit pritet të merret menjëherë pas përfundimit të turneut, kur merkatoja verore do të hyjë në fazën më intensive.