Akt i rrallë human në Maqedoninë e Veriut: Zemra e re për 52-vjeçarin, veshkë për 23-vjeçarin

Kur dhimbja është e padurueshme dhe fjalët nuk kanë forcë, ekzistojnë njerëz që gjejnë fuqinë për të marrë ndoshta vendimin më human. Pikërisht këtë e bëri një familje, e cila në çastet më të vështira të jetës së saj vendosi t’u dhurojë jetë të tjerëve.

Me këtë vendim të jashtëzakonshëm për dhurim organesh, njeriu i dashur i tyre vazhdon të jetojë në zemrat, trupat dhe buzëqeshjet e njerëzve që sërish kanë një mundësi për jetë.

Në kraharorin e një pacienti 52-vjeçar, i cili që nga viti 2021 priste me padurim dhe besim në listën kombëtare për transplantim – prej sot rreh një zemër e re. Simbol i një jete të re, një fillimi të ri dhe mirënjohjeje të pafund.

Njëkohësisht, një djalë 23-vjeçar mori një veshkë dhe bashkë me të, një mundësi për një jetë më cilësore.

Janë dhuruar edhe inde kockore, një tjetër dhuratë e jashtëzakonshme, që do të ndihmojë në shërim dhe rikthim të jetës.

“Ministria e Shëndetësisë shpreh respektin e saj më të thellë për këtë familje të guximshme. Vendimi i tyre për ne është udhërrëfyes në krijimin e politikave të ardhshme. Falënderim për të gjithë punonjësit shëndetësorë, përkushtimi, ekspertiza dhe profesionalizmi i të cilëve e realizuan këtë mision fisnik për shpresë dhe jetë të re”, thotë Azir Aliu.

“Respekt i madh për familjen e donatorit të ndjerë, e cila me këtë vendim të guximshëm vendosi ta ndryshojë fundin e historisë së dikujt. Kur jemi të bashkuar dhe kemi një mision kaq human, së bashku dhe si ekip mund të lëvizim kufijtë”, thotë prof.dr. Biljana Kuzmanovska.

Pacientët janë në gjendje stabile dhe u urojmë shërim të shpejtë.

Akt i rrallë human në Maqedoninë e Veriut: Zemra e re për 52-vjeçarin, veshkë për 23-vjeçarin

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo