Nga dorëheqja e qeverisë tek anulimi i Paketës së Maleve, protestuesit parashtrojnë kërkesat

Dy prej kërkesave kryesore të artikuluara nga organizatorët e protestës janë shfuqizimi i ligjit për investimet strategjike dhe anulimin e “Paketës së Maleve”

Protesta e zhvilluar këtë të martë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është shoqëruar me thirrje të forta kundër qeverisë dhe politikave që protestuesit i konsiderojnë të dëmshme për interesin publik dhe pasuritë kombëtare.

“Poshtë spiunëve”, ishte një nga sloganet që u dëgjua gjatë tubimit, ndërsa qytetarët e mbledhur para Kryeministrisë shprehën kundërshtimin e tyre ndaj disa nismave ligjore dhe projekteve të miratuara nga qeveria.

Mes pjesëmarrësve në protestë, një qytetare mori fjalën duke kërkuar dorëheqjen e të gjithë kabinetit qeveritar. Ajo u shpreh se qeveria duhet të largohet dhe të tërhiqen një sërë ligjesh që, sipas protestuesve, cenojnë interesat e shqiptarëve.

Në fjalën e saj, qytetarja kërkoi shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, si edhe anulimin e “Paketës së Maleve”, dy prej kërkesave kryesore të artikuluara nga organizatorët e protestës. Sipas tyre, këto iniciativa kanë hapur rrugë për ndërhyrje në pasuri publike dhe zona me rëndësi të veçantë natyrore.

Protestuesit kanë bërë të ditur më herët edhe një sërë kërkesash të tjera, mes të cilave anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe në ligjin për trashëgiminë kulturore. Ata argumentojnë se këto ndryshime rrezikojnë mbrojtjen e pasurive natyrore dhe historike të vendit.

Gjatë tubimit, pjesëmarrësit përsëritën se nuk do të pranojnë negociata për atë që e konsiderojnë pasuri të përbashkët të shqiptarëve, ndërsa u bënë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’i bashkohen protestës dhe kauzës së tyre.

Protesta po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie në zonën përreth Kryeministrisë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se reagimet qytetare do të vijojnë edhe në ditët në vijim nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo