Sulm masiv rus ndaj qyteteve në mbarë Ukrainën, raportohet për viktima

Sulmet ruse kanë vrarë të paktën dhjetë persona në mbarë Ukrainën, gjashtë në Dnipro dhe katër në kryeqytetin Kiev, duke shënuar një nga ofensivat më të mëdha të Moskës në muajt e fundit.

Dhjetëra persona të tjerë u plagosën, përfshirë disa fëmijë, pasi sulmet ajrore gjatë natës goditën blloqe banesash, ndërsa ekipet e emergjencës po përpiqeshin të gjenin njerëz që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja në Kiev, raporton BBC.

Alarmet për sulme ajrore ishin aktive në pjesën më të madhe të Ukrainës në orët e para të mëngjesit të së martës.

Moska javën e kaluar paralajmëroi se do të ndërmerrte “sulme sistematike” ndaj Ukrainës si përgjigje ndaj një sulmi me dron muajin e kaluar mbi një konvikt në rajonin e Luhanskut, të kontrolluar nga Rusia, ku u vranë 21 persona.

Re të mëdha tymi mund të shiheshin duke u ngritur nga qendra e Kievit dhe kryetari i qytetit, Vitali Klitschko, u ka bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë në strehimore. Kreu i Administratës Ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, tha: “Armiku po godet me raketa balistike.”

Klitschko tha se ekziston frika se njerëz janë bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të dëmtuara.

Në Rusi, qendra e reagimit emergjent e rajonit Krasnodar raportoi një zjarr në rafinerinë e naftës Ilsky pas një sulmi me dron. Sipas shërbimeve emergjente, nuk pati viktima.

Ndërsa sulmet ruse godisnin Kievin në orët e hershme të mëngjesit, zhurma e dronëve dëgjohej mes më shumë se një duzinë shpërthimesh të forta teksa goditjet arrinin objektivat.

Sulmi shkaktoi zjarre pranë një pike karburanti, një kantieri ndërtimi dhe disa blloqeve të banimit, si edhe dy shtëpive, tha Klitschko. Gjithashtu janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike në qytet.

Një objekt industrial është sulmuar gjithashtu në Zaporizhzhia.

Sulmet vijnë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përsëriti të hënën paralajmërimet për një sulm të mundshëm të madh rus dhe u bëri thirrje banorëve t’u kushtojnë vëmendje të veçantë alarmimeve për sulme ajrore.

“Paralajmërimet e inteligjencës për sulme ruse mbeten në fuqi. Një sulm masiv është i mundur, ata kanë përgatitur një të tillë,” tha Zelensky në mesazhin e tij të natës me video.

Javën e kaluar, Rusia deklaroi se do të godiste qendrat ushtarake dhe ato të vendimmarrjes në Kiev, dhe u bëri thirrje të huajve të largoheshin nga qyteti, duke pretenduar se kjo ishte përgjigje ndaj sulmit të qëllimshëm të Ukrainës ndaj një konvikti në Strabolinsk.

Në një deklaratë të asaj kohe, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se kishte kryer një sulm pranë Starobilskut gjatë natës së 21–22 majit, por këmbënguli se objektivi ishte një njësi ushtarake ruse.

Kievi i cilësoi kërcënimet ruse si “asgjë më pak se shantazh i turpshëm” dhe u bëri thirrje aleatëve të shtojnë presionin ndaj Moskës.

Që nga përfundimi i një armëpushimi të shkurtër në maj, Rusia ka ndërmarrë disa valë sulmesh me raketa dhe dronë ndaj Kievit, përfshirë goditje ndaj një blloku banesash ku u vranë 24 persona, mes tyre tre fëmijë./Reporteri.net/

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo