Qeveria rifreskohet në dyvjetorin e saj! Kush ikën e kush mbetet?

Rikonstruimi do të ndodhë në gjysmën e mandatit të Qeverisë së Mickoskit dhe, varësisht nga numri i ministrave që Mickoski vendos të zëvendësojë, burimet qeveritare komentojnë se do të jetë e mundur të kuptohet nëse kryeministri po planifikon zgjedhje të parakohshme parlamentare për pranverën e ardhshme apo nëse do ta shtyjë të gjithë mandatin në vitin 2028

Takimi i parë midis partnerëve qeveritarë VMRO-së, VLEN-it dhe ZNAM-it për rikonstruimin e Qeverisë është i mundur javën e ardhshme. Deri më tani, është e sigurt se do të ketë ndryshime te ministrat nga VLEN, përkatësisht te zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë Arben Fetai, i cili sot dha dorëheqje si dhe te ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani, i cili është ndarë nga VLEN-i.

Rikonstruimi i Qeverisë do të ndodhë në gjysmën e dytë të këtij muaji dhe nuk do të jetë surprizë nëse, siç ju ka thënë kryeministri Hristijan Mickoski, rikonstruimi do të ndodh në përvjetorin e formimit të Qeverisë më 23 qershor, tregojnë zyrtarë të lartë qeveritar në kushte anonimiteti për gazetën “Sloboden Peçat”.

Riokonstruimi do të ndodhë në gjysmën e mandatit të Qeverisë së Mickoskit dhe, varësisht nga numri i ministrave që Mickoski vendos të zëvendësojë, burimet qeveritare komentojnë se do të jetë e mundur të kuptohet nëse kryeministri po planifikon zgjedhje të parakohshme parlamentare për pranverën e ardhshme apo nëse do ta shtyjë të gjithë mandatin në vitin 2028.

Sipas bruimeve të kësaj gazete, nëse kryeministri zëvendëson vetëm disa ministra, atëherë do të kuptohet se zgjedhjet janë të mundshme pranverën e ardhshme. Përndryshe, nëse vendoset një riorganizim më i madh tani, do të ishte një sinjal se kryeministri do të shkojë në zgjedhje të rregullta, pasi nuk do të kishte kuptim të zëvendësoheshin më shumë ministra dhe të formohej një Qeveri teknike që në janar.

Nga ana tjetër, nuk ka konfirmim nëse shkarkimi i dy ministrave do të thotë edhe lamtumirë të tyre me Qeverinë, pasi për Fetain, Mickoski tashmë kanë njoftuar se mund të jetë përfaqësues special në Bruksel, ndërsa spekulohet se Limani do të mbetet në Qeveri si ministër pa portofol në vend të Shaban Saliut.

Megjithatë, është e pasigurt nëse do të ketë një marrëveshje për këtë midis partnerëve qeveritarë kur dihet se VLENI-i tashmë ka deklaruar se nuk llogarit më te Limani në asnjë variant. Mbrëmë, VLEN-i diskutoi rindërtimin e Qeverisë në seancën e parë të Kuvendit Qendror të partisë.

Në atë drejtim, u hap një debat mbi performancën e bartësve të funksioneve publike, me qëllim që çdo ndryshim i mundshëm të kontribuojë në efikasitet më të madh, llogaridhënie dhe realizim më të shpejtë të detyrimeve të ndërmarra ndaj qytetarëve, siç njoftoi VLEN.

Nga kjo parti informuan se analiza e tyre tregoi se janë të kënaqur me punën e ministrave të tyre, me përjashtim të Fetait dhe Limanit, dhe se nuk ka nevojë për zëvendësimin e tyre.

Partia vlerësoi se ministrat Bekim Sali, Besar Durmishi dhe Azir Aliu po bëjnë një punë të mirë, ndërsa Muhamed Hoxha së fundmi ka qenë ministër i Ekologjisë dhe është shumë herët për të vlerësuar angazhimin e tij.

Pati edhe vërejtje për zëvendësministrat, jo se nuk punuan, por se nuk ishin të afirmuar mjaftueshëm në publik dhe në atë fushë kanë nevojë për ndihmë. Lidhur me një riorganizim të mundshëm të portofoleve, VLEN-i thotë se do ta pranonin vetëm nëse partneri qeveritar ofron staf më cilësor se i tyre.

Është e habitshme që analizat e ZNAM-it kanë treguar se nuk ka nevojë të zëvendësojnë ministrat e tyre, Igor Filkov në Drejtësi dhe Goran Minçev në Administratë, sepse ata e zbatuan me sukses programin qeveritar. Se nuk janë pro zëvendësimit të ministrave të tyre dhe se nuk janë pro riorganizimit të ministrive do të jenë edhe qëndrimet e liderit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, në takimin me kryeministrin Mickoski për rikonstruimin e Qeverisë.

Nëse kryeministri beson se zëvendësimi i ministrave të ZNAM-it është i nevojshëm, atëherë ata thonë se do ta përballen me argumente. Disa zyrtarë të VMRO-DPMNE-së nuk e fshehin pakënaqësinë e tyre me ministrinë e Filkovit, dikasterin e Drejtësisë, por kryeministri ende nuk ka komentuar për punën e tij. Megjithatë, kryeministri ka përsëritur vazhdimisht se pritet riorganizim i disa ministrive, por nuk specifikon se për cilat ministri bëhet fjalë.

VMRO-DPMNE konfirmon se po e shënjestrojnë sektorin e Shëndetësisë, dhe se drejtori i Qendrës spitalore “8 Shtatorit”, Sinisha Stojanovski, po përmendet publikisht si ministri i ri për atë pozicion.

Një riorganizim në Ministrinë e Drejtësisë është gjithashtu i mundur, që do të thotë se VMRO-DPMNE mund ta marrë edhe atë ministri. Kjo do të thoshte se VLEN dhe ZNAM do të mbeteshin pa dy ministri të rëndësishme, por deri më tani nuk ka informacion se çfarë do t’u ofrohet atyre në këmbim.

Një ndryshim në Ministrinë e Kulturës është pothuajse i sigurt, ku Zoran Lutkov do të duhet t’i thotë lamtumirë postit të tij. Ka edhe spekulime rreth shkarkimit të mundshëm të zëvendëskryeministrit për Marrëdhëniet Ndëretnike, Ivan Stoilkoviq.

Megjithatë, për momentin e sigurt është vetëm se do të ketë riorganizim të Qeverisë, dhe kryeministri ka lënë të kuptohet tashmë se disa zyrtarë nuk po japin maksimumin e tyre dhe se ai u ka thënë atyre tashmë se duhet të përmirësojnë punën e tyre, përndryshe do shkarkohen.

“Ne, si koalicion i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, sipas mendimit tim, do të dalim me qëndrimin tonë në ato negociata, dhe ky qëndrim është kryesisht për shkak të analizave tona. Do të donim të dëgjonim edhe qëndrimet e partnerëve të tjerë të koalicionit”, deklaroi së fundmi Mickoski, ndërsa nuk e përjashtoi mundësinë e zgjerimit të koalicionit qeveritar për të përfshirë subjekte të reja politike.

Ndryshe, Qeveria e Mickoskit pësoi ndryshimin e parë një vit pas formimit të saj, kur ministri i Shëndetësisë dhe kreu i njërit prej krahëve të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dha dorëheqjen. Taravari u largua nga Qeveria dhe VLEN-i, sepse vendosi të kandidonte në zgjedhjet lokale me listat e veta të këshilltarëve. Ministër i ri i Shëndetësisë më pas u bë Azir Aliu. Pas zgjedhjeve lokale dhe zgjedhjes së zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Mjedisit në atë kohë, Izet Mexhiti për kryetar të Komunës së Çairit, u pasua nga një ndryshim i ri në kabinetin e Mickoskit. Bekim Sali u zgjodh zëvendëskryeministër i Parë dhe ministër për Çështjet Evropiane, ndërsa ministër i ri i Mjedisit u bë Muhamet Hoxha.

Zgjedhja e Salit megjithatë, shënoi fundin e mandatit të Orhan Murtezani si ministër i Çështjeve Evropiane. Në dy vitet që kur Qeveria e Mickoskit mori detyrën, nuk ka pasur ndërrim ministrash nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo