Një autobus përfshihet nga flakët në Turqi, tetë të vdekur përfshirë një foshnje





Tetë persona, përfshirë një foshnje 9-muajshe, kanë humbur jetën dhe rreth 33 të tjerë janë lënduar pasi një autobus u përplas dhe më pas u përfshi nga flakët në Turqi.

Aksidenti ka ndodhur të dielën në mëngjes në provincën Denizli, kur autobusi i kompanisë “Pamukkale Tourism” është përplasur me barrierat e autostradës rreth orës 1:40 sipas kohës lokale.

Sipas AP, autobusi po udhëtonte nga Izmiri drejt qytetit bregdetar Antalia dhe në bord ndodheshin 38 pasagjerë dhe tre anëtarë të stafit.

Midis viktimave janë shoferi 50-vjeçar dhe babai i foshnjës, ndërsa autoritetet kanë konfirmuar se numri i të lënduarve është rreth 33 persona.

Pamjet nga vendi i ngjarjes kanë treguar mbetjet e djegura të autobusit pranë rrugës, pas përplasjes së rëndë.

Ngjarja ndodhi në ditën e fundit të Kurban Bajramit, periudhë gjatë së cilës në Turqi zakonisht rritet ndjeshëm numri i aksidenteve rrugore për shkak të udhëtimeve të shumta të qytetarëve për vizita familjare dhe pushime.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo