BDI- Dega Tetovë ka akuzuar kryetarin e Komunës së Tetovës dhe shumicën VMRO–VLEN për, siç thuhet në reagim, “planin më të rëndë dhe më të rrezikshëm për shitjen e pronës publike në Tetovë” informon Tetovasot.
Në një deklaratë për media të prezantuar nga zëdhënësja Lindita Aliu, thuhet se pas shitjes së Monopolit dhe parkingut te Tregu i Gjelbër, tashmë është miratuar Programi për menaxhim me tokën ndërtimore për vitin 2026, që parasheh shitjen e 21 parcelave me mbi 56 mijë metra katrorë tokë publike.
Sipas BDI-së, në listën e parcelave përfshihen:
parkingu te Vero,hapësira pranë Qendrës Sportive,tokë prej 38 mijë metrash katrorë në Saraqinë,si dhe parcela në Reçicë të Vogël ku banorët kërkojnë ndërtimin e një çerdheje.
Nga kjo parti pretendojnë se prona publike po shitet me çmime shumë të ulëta dhe se pas gjithë procesit, sipas tyre, qëndrojnë interesa të afërta me pushtetin lokal.
Në reagim theksohet se prona publike “nuk është pronë personale e askujt, por pronë e qytetarëve të Tetovës”, ndërsa paralajmërohen edhe masa ligjore ndaj personave që, sipas tyre, “keqpërdorin pozitat publike dhe dëmtojnë interesin e qytetarëve”.
BDI Tetovë paralajmëroi gjithashtu se në ditët në vijim do të publikojë informata të reja lidhur me, siç e quajnë ata, “tjetërsimin e pronës publike” në Tetovë.TS
Reagimi i plote:
DEKLARATË PËR MEDIA Lindita Aliu, zëdhënëse e BDI – Dega Tetovë Të nderuar qytetarë, Të nderuara media, Pas shitjes skandaloze të Monopolit për 1 euro metri katror dhe pas shitjes së parkingut te Tregu i Gjelbër për çmim qesharak, sot jemi dëshmitarë të “planit” më të rëndë dhe më të rrezikshëm për shitjen e pronës publike në Tetovë. Me propozim të Bilall Kasamit dhe me votat e shumicës VMRO–VLEN në Këshillin Komunal, është përgatitur dhe miratuar e ashtuquajtura Programë për menaxhim me tokën ndërtimore për vitin 2026, e cila parasheh shitjen e 21 parcelave, me mbi 56 mijë metra katrorë tokë publike. Në këtë listë janë hapësira me rëndësi për qytetarët: Parkingu te Vero, hapësira te Qendra Sportive, toka prej 38.000m2 në Saraqinë për vetëm 61 denarë për metër katror, si dhe parcelat në Reçicë të Vogël, ku banorët prej vitesh kërkojnë çerdhe për fëmijët e tyre. Kjo që ata po mubdohen të promovojnë si zhvillim ekonomik dhe menaxhim me tokën ndërtimore, paraqet në fakt grabitje e organizuar e pronës publike, dhe pasurim të individëve të afërt me pushtetin. Prona publike nuk është pronë personale e Bilall Kasamit dhe as e shumicës VMRO–VLEN. Ajo është pronë e qytetarëve të Tetovës. Sot, të rinjtë e Forumit Rinor të BDI-së vendosën mesazhin aty ku duhet ta shohë çdo qyteta se TOKA e tyre po SHITET. Ndërsa para Komunës së Tetovës, mesazhi është edhe më i qartë. Komuna po mbyllet nga qytetarët, për shitje dhe krim ndaj pronës publike. BDI – Dega Tetovë nuk do të heshtë. Ne do t’i informojmë qytetarët për çdo parcelë, çdo vendim dhe çdo tentim për tjetërsim të pronës së tyre. Dhe jo vetëm kaq. Kemi informata akoma më alarmante të cilat do ti shpalosim ditëve në vijim. Qytetarët gjithësesi meritojnë ta dinë të vërtetën. BDI – Dega Tetovë do të ndërmarrë edhe masa ligjore ndaj të gjithë atyre që keqpërdorin pozicionet publike, marrin vendime në dëm të tetovarëve dhe janë shndërruar në tregtarë të pronës publike.