U nënshkrua Memorandum Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në sektorin energjetik me Kroacinë, si dhe Marrëveshje për bashkëpunim strategjik, mundësi për projekte të reja dhe investime
Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, dhe homologu i saj kroat, ministri i Ekonomisë i Republikës së Kroacisë, Ante Šušnjar, sot në Ohër nënshkruan Memorandumin për mirëkuptim dhe bashkëpunim në sektorin energjetik ndërmjet dy vendeve. Memorandumi u nënshkrua në kuadër të pjesës punuese të vizitës së një delegacioni të lartë kroat në vend, i udhëhequr nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković.
Në kuadër të pjesës zyrtare, u nënshkrua Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Kroacisë dhe Qeverisë së Maqedonisë për bashkëpunim strategjik. Marrëveshja u nënshkrua nga dy kryeministrat, Hristijan Mickoski dhe Andrej Plenković.
Vizita e delegacionit kroat në vend u përmbyll me mbajtjen e një Forumi të Biznesit, ku morën pjesë përfaqësues të komunitetit të biznesit nga Maqedonia dhe Kroacia. Në Forum u prezantuan mundësitë për bashkëpunim të ardhshëm në disa fusha, ndër të cilat edhe mundësitë për realizimin e projekteve të reja dhe investimeve në sektorin energjetik.
„Energjia sot është një nga fushat më të rëndësishme strategjike për Evropën dhe për të gjithë rajonin. Lufta në Ukrainë, si dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, treguan qartë se siguria energjetike nuk është më vetëm çështje ekonomike, por edhe çështje gjeopolitike dhe sigurie. Prandaj, shtetet që dinë të bashkëpunojnë, të investojnë dhe të ndërtojnë projekte të përbashkëta infrastrukturore, do të jenë më të forta, më stabile dhe më rezistente ndaj sfidave të ardhshme”, theksoi ministrja Sanja Bozhinovska në fjalimin e saj në Forum.
Memorandumi për mirëkuptim dhe bashkëpunim në sektorin energjetik ndërmjet Maqedonisë dhe Kroacisë, i cili u nënshkrua sot, është rezultat i marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit të ndërsjellë shumëvjeçar mes dy vendeve. Ai bazohet në përcaktimin strategjik të Maqedonisë për anëtarësim në BE, duke iu referuar obligimeve sipas Marrëveshjes për Komunitetin Energjetik dhe rëndësisë së harmonizimit gradual me legjislacionin energjetik të BE-së.
Qëllimi i Memorandumit për mirëkuptim dhe bashkëpunim në sektorin energjetik ndërmjet Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale të Maqedonisë dhe Ministrisë së Ekonomisë të Kroacisë është krijimi i një kornize për avancimin e bashkëpunimit të mundshëm ndërmjet dy vendeve në sektorin energjetik në drejtim të: forcimit të sigurisë energjetike dhe interkoneksioneve rajonale; avancimit të integrimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe tranzicionit drejt sistemeve me emetime të ulëta të karbonit; integrimit të tregut të energjisë elektrike dhe konvergjencës rregullatore me rregullat e BE-së, si dhe mbështetjes në ndërtimin e kapaciteteve institucionale, shkëmbimit të njohurive dhe iniciativave të përbashkëta.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale do të vazhdojë me qasjen për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal, si parakusht për një tranzicion të suksesshëm energjetik përmes implementimit të projekteve dhe investimeve, me qëllim të vendosjes së një sistemi energjetik stabil dhe të sigurt.


