MF: Kuvendi shqyrtoi Strategjinë fiskale 2027-2031, e cila siguron financa publike të qëndrueshme dhe stabile
Sigurimi i financave publike të qëndrueshme dhe stabile në periudhën afatmesme dhe afatgjate, zbatimi i konsolidimit fiskal gradual dhe të përgjegjshëm përmes uljes së deficitit buxhetor, ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe financiar në rrethana të paqëndrueshmërisë së energjisë dhe çmimeve, si dhe krijimi i kushteve për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe rritja e rezistencës ekonomike ndaj krizave të ardhshme janë qëllimet kryesore të politikës fiskale të përcaktuara në Strategjinë fiskale për periudhën 2027-2031, e cila është hartuar nga Ministria e Financave dhe është miratuar nga Qeveria. Strategjia fiskale u shqyrtua sot në seancën plenare të Kuvendit.
Në përputhje me Strategjinë fiskale të miratuar për periudhën 2027 – 2031, politika fiskale do të orientohet gjithashtu edhe në krijimin e parakushteve për ciklin e ri të rritjes ekonomike nëpërmjet realizimit të vlerës së lartë të investimeve kapitale publike, konsolidimit gradual fiskal dhe përmirësimit të menaxhimit të financave publike. Përveç angazhimit për konsolidimin fiskal dhe kursimet buxhetore, ekonomia do të vazhdojë të mbështetet nga investimet në projekte infrastrukturore, riprojektimi i strukturës së financave publike përmes ruajtjes së nivelit të lartë të shpenzimeve kapitale dhe përforcimit të transparencës dhe llogaridhënies. Njëkohësisht, është planifikuar të zhvillohet politika fiskale e disiplinuar, që në thelb nënkupton uljen e shpenzimeve jothelbësore, me qëllim të shfrytëzimit më efikas dhe më të qëllimshëm të mjeteve publike.
Strategjia fiskale përmban udhëzimet dhe qëllimet afatmesme të politikës fiskale, e cila do të bazohet në përgjegjësinë dhe disiplinën fiskale përmes planifikimit dhe shfrytëzimit të mjeteve publike në kuadër të kornizës së mundësive fiskale reale dhe të qëndrueshme, qasjes graduale dhe parashikueshmërisë, duke zbatuar konsolidimin fiskal në faza, pa kufizime të papritshme që mund të shkaktojnë goditje ekonomike. Gjithashtu, parashikohet edhe barazia sociale për t’i mbrojtur kategoritë e shtresave në nevojë të popullsisë nga efektet negative të krizës dhe harmonizimet fiskale, si dhe transparenca dhe llogaridhënia me masa dhe mekanizma të përcaktuara qartë për monitorim dhe raportim.
Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, në shpjegimin e tij të dokumentit në Kuvend, theksoi se në periudhën 2027 – 2031, politika tatimore do të bazohet në uljen e ekonomisë gri dhe rritjen e arkëtimit të mjeteve në buxhetin e shtetit, përmes rritjes së digjitalizimit dhe krijimit të sistemit efikas tatimor në mënyrë që të gjithë t’i paguajnë detyrimet e tyre tatimore në mënyrë të drejtë.
“Politika e menaxhimit të borxhit publik do të destinohen drejt sigurimit të mjeteve të nevojshme për financimin e deficitit buxhetor, për të shlyer borxhet që duhen paguar si rezultat i huamarrjes nga vitet e kaluara dhe për financimin e projekteve, duke mos shkaktuar rritje të pajustifikuar të borxhit deri në nivelin që mund ta cenojë stabilitetin e ekonomisë dhe rritjen ekonomike të vendit”, tha zëvendësministri.
Me miratimin e Strategjisë fiskale qeveritare dhe përmes qëllimeve, parimeve dhe masave të përcaktuara qartë, sigurohet qasje e balancuar drejt ballafaqimit me sfidat aktuale fiskale dhe ekonomike.
Në këtë drejtim, fokusi në konsolidimin fiskal krijon bazë solide për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurimin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Prandaj, në periudhë afatmesme deri në vitin 2031 parashihet ulja e deficitit buxhetor si pjesëmarrje në përqindje në PBB nga 3.5% në vitin 2027, në 3% në vitin 2028 dhe ulja e tij në nivel prej 2.8% në vitin 2029. Ndërkaq, me projeksionet e përcaktuara, deficiti buxhetor nga viti 2028 është plotësisht i harmonizuar me standardet evropiane për disiplinë fiskale, gjë që paraqet sinjal të qartë për ruajtjen e stabilitetit dhe kredibilitetit të financave publike.
Gjatë periudhës 2027-2031 pritet që rritja ekonomike gradualisht të intensifikohet dhe aktiviteti ekonomik të shënojë rritje mesatare prej 4%. Si shtytës kryesor pritet të jenë realizimi i investimeve strategjike në infrastrukturë dhe energjetikë, mbështetja financiare e aktivitetit investues të kompanive vendore prodhuese për rritjen e inovativitetit, konkurrueshmërisë dhe produktivitetit, reformat në mjedisin afarist dhe politikën tatimore, si dhe rritja e eksportit, reformat në arsim dhe përshtatja me nevojat e tregut të punës, lufta kundër korrupsionit, ekonomisë gri dhe konkurrencës jolojale, si dhe digjitalizimi i proceseve në ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe kompanitë, pritet të ndikojnë pozitivisht në potencialin e rritjes. Gjithashtu, kontribut në potencialin e rritjes pritet edhe nga aktivitetet për tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe zgjerimi i kapaciteteve ekzistuese.
Përkrahja e aktivitetit ekonomik pritet edhe nga Plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Në përputhje me Strategjinë fiskale, një nga supozimet kryesore për zbatimin e normave më të larta të rritjes është normalizimi i mjedisit global, stabilizimi i presioneve të inflacionit dhe përforcimi i aktivitetit ekonomik mes partnerëve tanë kryesorë tregtarë.
Instrument kryesor i politikës fiskale dhe bartës i rritjes ekonomike do të jenë shpenzimet kapitale me qëllim të sigurimit të përfitimit ekonomik afatgjatë përmes rritjes së kapitalit publik në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, kapaciteteve energjetike, sistemeve të ujërave dhe kanalizimeve, infrastrukrturës digjitale dhe arsimore/sociale. Po ashtu investimet kapitale të planifikuara rrisin produktivitetin dhe përmirësojnë konkurrencën e ekonomisë.
Strategjia fiskale paraqet qasje sistematike dhe afatmesme në menaxhimin e financave publike, në drejtim të stabilitetit ekonomik, qëndrueshmërisë së borxhit publik dhe përkrahjes së zhvillimit ekonomik. Strategjia fiskale është dokument i cili përgatitet në bazë të Ligjit të Buxheteve ku ofrohen udhëzime dhe objektiva afatmesme të politikës fiskale, projeksione bazë makroekonomike, vlera për kategoritë kryesore të të ardhurave dhe shpenzimeve të vlerësuara, si dhe projeksione për deficitin dhe borxhin buxhetor për 5 vitet e ardhshme.