ASH: Diskriminim me para publike në Kumanovë, lagjet shqiptare të lëna jashtë investimeve

Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë për mënyrën se si po shpërndahet buxheti komunal në Kumanovë. Në vend që investimet të orientohen sipas nevojave reale të qytetarëve, po krijohet një ndarje e qartë mes lagjeve që trajtohen me prioritet dhe lagjeve shqiptare që vazhdojnë të lihen në harresë.

Gjatë muajve të fundit, dhjetëra projekte infrastrukturore janë realizuar kryesisht në lagje me shumicë maqedonase, si Ajduçka Çeshma, Zeleni Rid dhe Karposh. Ndërkohë, lagjet shqiptare vazhdojnë të përballen me rrugë të paasfaltuara, rrugica të pabegatonizuara dhe infrastrukturë bazike të lënë pas dore.

Shembulli më i qartë është lagjja “Tode Mendol”, ku jetojnë rreth 20 mijë banorë, shumica dërrmuese shqiptarë. Përkundër nevojave të mëdha infrastrukturore, investimet në këtë zonë mbeten pothuajse të papërfillshme.

Kjo nuk mund të trajtohet si neglizhencë e zakonshme administrative. Kur buxheti publik shpërndahet në mënyrë të pabarabartë, ndërsa një pjesë e qytetit lihet sistematikisht jashtë investimeve, atëherë kemi të bëjmë me diskriminim të hapur ndaj qytetarëve.

Edhe këshilltari i Aleancës për Shqiptarët në Kumanovë, Huzeir Mustafi, ka ngritur vazhdimisht shqetësimin se të dhënat publike tregojnë një disproporcion të qartë në investimet komunale. Sipas tij, shumica e ndërhyrjeve infrastrukturore janë realizuar në lagje me shumicë maqedonase, ndërsa lagjet shqiptare kanë marrë vetëm investime minimale.

Është e papranueshme që në vitin 2026 Kumanova të administrohet me standarde të dyfishta. Qyteti nuk mund të ndahet sipas përkatësisë etnike dhe buxheti komunal nuk mund t’i shërbejë vetëm një pjese të qytetarëve. Ai është buxhet i të gjithë qytetit, sepse të gjithë qytetarët, pa dallim, kontribuojnë përmes taksave.

Aleanca për Shqiptarët kërkon transparencë të plotë për investimet komunale, llogaridhënie nga kryetari i Komunës dhe rishpërndarje të drejtë të mjeteve publike. Çdo lagje e Kumanovës duhet të trajtohet me dinjitet dhe çdo qytetar duhet të ketë qasje të barabartë në shërbime dhe investime publike, pavarësisht se ku jeton dhe cilit komunitet i përket.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo