Të rinjtë e partive politike bashkohen për vlerat evropiane dhe kohezionin shoqëror

Shkup, 26 maj – Organizatat rinore të partive politike në vend sot në Shkup nënshkruan deklaratë për vlera evropiane dhe kohezion, në një ngjarje të organizuar nga Instituti për Strategji Ekonomike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare – Ohër, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, me rastin e Ditës dhe Muajit të Evropës. Me nënshkrimin e deklaratës, liderët e rinj politikë u zotuan për respektimin dhe avancimin e vlerave të përbashkëta evropiane, mes të cilave dialogu, kohezioni, kultura demokratike, përgjegjësia, respektimi i diversitetit dhe solidariteti.

Udhëheqësi për bashkëpunim në Delegacionin e Bashkimit Evropian, Stefen Hudolin, theksoi se ideja evropiane është e gjallë, dinamike dhe vazhdimisht ndërtohet përmes përpjekjeve të përbashkëta, dialogut dhe përfshirjes. Hudolin theksoi se si përgjegjës për sektorin e bashkëpunimit dhe mbështetjen financiare nga BE-ja, është i kënaqur që merr pjesë në një projekt që, siç tha, “tregon se çfarë do të thotë mbështetja evropiane në praktikë, veçanërisht në periudhën kur festojmë Evropën, vlerat e saj dhe rrugën drejt anëtarësimit”.

Në fjalimin e tij, ai kujtoi se Bashkimi Evropian është krijuar si përgjigje ndaj krizave historike dhe se sot përfaqëson periudhën më të gjatë të paqes dhe prosperitetit në kontinent. Ai theksoi se modeli evropian bazohet në dialog, kompromis dhe këmbëngulje, duke nënvizuar se pikërisht kjo aftësi për dialog është thelbi i projektit evropian. Ndërsa Valentina Veliçkovska nga Qendra e Burimeve Qytetare tha se vlerat evropiane nuk janë vetëm përcaktime politike, por parime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve. Ajo theksoi se veçanërisht i rëndësishëm është mesazhi që të rinjtë po e dërgojnë përmes organizatave rinore të partive politike – se dallimet nuk duhet të jenë burim për ndarje, por mundësi për bashkëpunim dhe veprim të përbashkët.

Pjesëmarrësit theksuan se me nënshkrimin e deklaratës dërgohet një sinjal i qartë se aktorët e rinj politikë mund të njohin një bazë të përbashkët vlerash dhe të kontribuojnë në forcimin e perspektivave evropiane të vendit

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo