Dibra drejt modernizimit të infrastrukturës urbane

Pas sanimit dhe përmirësimit të infrastrukturës nëntokësore, ku përfshihet vendosja e kanalizimeve atmosferike, ujërave të zeza dhe, në disa raste, edhe rrjeti i furnizimit me ujë, do të vijojë faza e asfaltimit të plotë të rrugëve

Vjollca SADIKU

Dibër, 25 maj – Pushteti vendor në Dibër po realizon punime në disa rrugë të qytetit. Me përmirësimin e kushteve atmosferike kanë rifilluar punimet në rrugët ku aktivitetet ishin ndërprerë për shkak të sezonit dimëror. Njëkohësisht po nisin edhe projekte të reja me qëllim që qytetarët e Dibrës të kenë kushte më të mira në përditshmërinë e tyre. Bëhet fjalë për përmirësimin e infrastrukturës nëntokësore dhe asaj urbane. Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, ka informuar se dinamika e aktiviteteve në terren është intensifikuar dukshëm. “Në koordinim mes Komunës së Dibrës dhe Ndërmarrjes Komunale Publike ‘Standard’, po vazhdojnë me intensitet punimet për realizimin e infrastrukturës nëntokësore në disa nga rrugët kryesore të qytetit, si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës urbane dhe krijimit të kushteve më të mira për qytetarët”, thuhet në informatën e komunës.

Aktualisht punohet në rrugët “1 Maji”, “Sabri Karameti” dhe “Migjeni”. Po ashtu, punime po zhvillohen edhe në lagjen e re të Dibrës, “Venec”. Sipas komunës, pritet që dinamika e punimeve të realizohet në përputhje me planin e paraparë.

Pas sanimit dhe përmirësimit të infrastrukturës nëntokësore, ku përfshihet vendosja e kanalizimeve atmosferike, ujërave të zeza dhe, në disa raste, edhe rrjeti i furnizimit me ujë, do të vijojë faza e asfaltimit të plotë të rrugëve. Ndërprerja e punimeve gjatë sezonit dimëror shkaktoi dëmtime në disa rrugë, përfshirë edhe dëmtime të asfaltit të vendosur më herët. Pushteti vendor, pas verifikimit të situatës në terren, ka ndërmarrë aktivitete për evitimin e dëmtimeve dhe realizimin pa pengesa të infrastrukturës nëntokësore, pas së cilës pritet të nisë asfaltimi i rrugëve.

Gjatë sezonit veror pritet të realizohen edhe projekte të tjera në sferën e infrastrukturës urbane. Nga Komuna e Dibrës bëjnë të ditur se tashmë janë përgatitur projekte të reja për përmirësimin e infrastrukturës në qytet dhe në disa fshatra, si dhe projekte në fushën e ekologjisë.

Vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe situatës në deponinë e qytetit, ndërsa pritet të nisë ndërtimi i deponisë rajonale në Novaci, e cila konsiderohet si zgjidhje afatgjate për menaxhimin e mbeturinave. Para disa ditësh, pushteti vendor ishte maksimalisht i angazhuar në dislokimin e një pjese të tubacionit të ujësjellësit Rosok – Dibër, me të cilin furnizohet pjesa më e madhe e Dibrës, si dhe komuna rurale Qendër Zhupë dhe fshati Kosovrast i Poshtëm. Aktiviteti u realizua për shkak të ndryshimit të trasesë në aksin rrugor Dibër-Mavrovë dhe përfundoi me sukses. Me këtë pritet të tejkalohen përfundimisht problemet që i kanoseshin ujësjellësit për shkak të erozioneve mes urës së Mellniçanit dhe asaj të Kosovrastit. (koha.mk

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo