“GJUHA QË NUK MBROHET HUMBET, KOMBI QË HESHT SHUHET”





Dr. Lulzime Qoku

Gjuha Shqipe – Identiteti ynë dhe Standardet Evropiane
O gjuhë e shenjtë shqipe, ti je më shumë se një gjuhë – ti je fryma e një kombi të lashtë, ti je himni i heshtur i të gjitha brezave që luftuan për të mos u shuar. Ti je gjuhë e Skënderbeut, e Naim Frashërit, e Gjergj Fishtës dhe e mijëra martirëve të kombit. Ti mbijetove pushtime, robëri shekullore dhe tentativa sistematike për t’u zhdukur, sepse ti nuk je thjesht fjalë – ti je identitet, ti je flamur, ti je amanet i gjakut tonë.
Sot, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ende vazhdon të na përkëmbet e drejta më themelore: e drejta për të menduar, për të mësuar dhe për të vepruar në gjuhën tonë amtare. Edhe pse Kushtetuta e vendit dhe marrëveshjet ndërkombëtare e garantojnë përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet, ende ka forca që duan ta trajtojnë atë si gjuhë “të dorës së dytë”.
Bashkimi Evropian, ku aspiron të anëtarësohet Maqedonia e Veriut, e ka bërë mbrojtjen e diversitetit gjuhësor një nga parimet themelore të tij. Sipas Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian:
Neni 21 ndalon çdo diskriminim mbi baza të ndryshme, duke përfshirë explicitisht gjuhën.
Neni 22 përcakton se “Bashkimi Evropian respekton diversitetin kulturor, fetar dhe gjuhësor”.
Gjuha shqipe, si gjuhë e një komuniteti të madh në vend, nuk mund të trajtohet si gjuhë “minoritare” në praktikë, kur vendi synon standardet evropiane të barazisë, mosdiskriminimit dhe mbrojtjes së diversitetit gjuhësor.
Dëshmi e qartë e kësaj është çështja e Provimit të Jurisprudencës. Studentët shqiptarë, me dinjitet dhe vendosmëri, kanë dalë në protestë duke kërkuar atë që është e drejta e tyre legjitime: provimi i Jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Ky nuk është thjesht një kërkesë administrative – është një betejë për dinjitet kombëtar, për barazi të plotë dhe për përputhshmëri me vlerat evropiane që vendi aspiron të adoptojë.
Studentët tanë nuk po kërkojnë favore – po kërkojnë drejtësi evropiane. Ata po mbrojnë jo vetëm të drejtën për një provim, por po mbrojnë vetë ekzistencën e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare dhe funksionale në institucionet e shtetit.
Gjuha shqipe është një nga gjuhët më të vjetra indo-evropiane. Ajo ka mbijetuar sepse ne e kemi dashur me çdo kusht. Sot, më shumë se kurrë, na duhet ta duam po aq fort – si detyrim ndaj stërgjyshërve dhe si kusht për integrim evropian të vërtetë.
Mos lejo që në tokën tënde gjuhën tënde ta quajnë “minoritare”!
Studentët tanë nuk janë vetëm – ata janë zëri i të gjithë neve dhe i vlerave evropiane.
Rroftë gjuha shqipe!
Rroftë rinia shqiptare që e mbron me gjoks të hapur!
Lavdi të gjithë atyre që nuk ulin flamurin e gjuhës e të identitetit tonë!

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo