Filkov nuk e bën hesap Mexhitin dhe Kasamin: Provimi i jurisprudencës zhvillohet sipas ligjit, jo presioneve nga rruga
Dy liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami një ditë para protestës së studetnëve deklaruan se provimi i Jurisprudencës do të mbahet në gjuhën shqipe dhe shumë shpejtë do të kemi lajme të mira. Sot zyrtarisht ka reaguar ministri i Drjetëisë Igor Filkov duke mos i bërë hesap Kasamin dhe Mexhitin. Sipas tij provimi i jurisprudencës zhvillohet në përputhje me ligjet në fuqi dhe standardet profesionale, e jo sipas agjendave ditore politike apo presioneve nga rruga
“Reagojmë ashpër ndaj përpjekjeve që provimi i jurisprudencës të shndërrohet në fushë për presion politik dhe përplasje ndëretnike. Provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por çështje profesionalizmi, kompetence dhe respektimi të rendit juridik të shtetit.
Përpjekjet që detyrimi ligjor për njohjen e gjuhës maqedonase të paraqitet si diskriminim përbëjnë manipulim të rrezikshëm me opinionin publik dhe goditje të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues.
Gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe përbën bazën e sistemit institucional dhe juridik të shtetit.
Është e papranueshme që tema të ndjeshme, të cilat prekin drejtpërdrejt sistemin juridik, të përdoren për përfitime politike apo për nxitjen e tensioneve ndëretnike.
Provimi i jurisprudencës zhvillohet në përputhje me ligjet në fuqi dhe standardet profesionale, e jo sipas agjendave ditore politike apo presioneve nga rruga. E drejta për protestë është e drejtë demokratike, por askush nuk ka të drejtë që përmes protestave të dhunshme të kërkojë uljen e kritereve dhe standardeve në drejtësi.
Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog institucional dhe të argumentuar, por nuk do të lejojë zhvlerësimin e sistemit juridik, as cenimin e rolit të gjuhës maqedonase si shtyllë e shtetësisë dhe rendit institucional.
Gjuha maqedonase nuk është pengesë ajo është detyrim, vlerë kushtetuese dhe garanci për funksionimin e shtetit” thuhet në reagimin e ministrit të Drejtësisë Igor Filkov