Në Universitetin e Tetovës u promovua libri “Epoka e konsujve dhe paradigma të tjera” i autorit Bajram Kosumi





Në ambientet e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës, sot u mbajt promovimi i librit “Epoka e konsujve dhe paradigma të tjera” nga autori, publicisti, studiuesi dhe ish-kryeministri i Kosovës, Prof. Dr. Bajram Kosumi. Kjo veprimtari kulturore dhe akademike mblodhi në një vend profesorë, studiues, studentë dhe dashamirë të librit. Paraprakisht, autori Prof. Dr. Bajram Kosumi u prit në një takim nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, në kabinetin e tij, ku u bisedua për rëndësinë e bashkëpunimit akademik, zhvillimet në fushën e arsimit të lartë, si dhe kontributin e veprave shkencore e letrare në pasurimin e mendimit intelektual shqiptar. Në këtë takim të pranishëm ishin edhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i UT-së, Prof. Dr. Salajdin Salihi dhe Prof. Emeritus Merxhan Avdyli.
Në fjalën hyrëse të promovimit, të pranishmit i përshëndeti Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Ai theksoi se ky libër nuk ka të bëjë vetëm me Epokën e Konsujve në aspektin juridik apo administrativ-politik të Romës së lashtë, por në fakt ka të bëjë me rolin e konsujve në shtetin shqiptar dhe të gjitha prioritetet, sfidat, të cilat i shtjellon profesori, janë të pasqyruara në mënyrë mjeshtërore. Më tej ai shtoi se puna dhe përkushtimi i Prof. Dr. Bajram Kosumit mbeten si një model i përkushtimit të brezave të rinj.
Me fjalë rasti u drejtua edhe dekania e Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Emine Shabani, e cila potencoi rëndësinë e kësaj vepre në trajtimin e çështjeve të identitetit dhe kulturës shqiptare në kontekstin ballkanik, si dhe kontributin e autorit në fushën e studimeve letrare dhe publicistike.
Ndërkohë, Prof. Dr. Arlind Farizi dhe Prof. Emeritus Merxhan Avdyli, në cilësinë e recensentëve, paraqitën vlerësimet e tyre mbi veprën, duke e cilësuar librin si një studim me qasje origjinale dhe reflektuese, i cili sjell interpretime të reja mbi identitetin shqiptar dhe ballkanas përmes asaj që autori e quan “literatura konsullore” – tekste të konsujve, gazetarëve dhe udhëpërshkruesve evropianë nga mesi i shekullit XIX e deri në ditët e sotme.
Në adresimin e tij, autori Prof. Dr. Bajram Kosumi prezantoi idetë kryesore të veprës, duke ndarë me të pranishmit reflektime mbi proceset historike, kulturore dhe identitare që kanë ndikuar në formësimin e perceptimeve për shqiptarët dhe Ballkanin.
Libri “Epoka e konsujve dhe paradigma të tjera” paraqet një amalgamë të veçantë letrare dhe studimore, duke trajtuar kompleksitetin e identitetit shqiptar e ballkanik përmes analizave të dokumenteve, narrativave dhe paradigmave të ndryshme historike e kulturore.

Në Universitetin e Tetovës u promovua libri “Epoka e konsujve dhe paradigma të tjera” i autorit Bajram Kosumi

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo