Pep Guardiola ngriti trofeun e 20-të në stolin e Manchester City-t, por ai gjithashtu mori vendimin për t’u larguar nga klubi në fund të sezonit, mëson ekskluzivisht “Daily Mail”.
Sipas burimeve të tyre, spanjolli do të marrë drejtimin e ndeshjes së fundit kundër Aston Villa-s në fund të sezonit të Premier League të dielën.
Kontrata e Guardiolit skadon në qershor të vitit 2027, por sipas “Daily Mail” ai vendosi të largohej një vit para skadimit të saj dhe i informoi drejtuesit e klubit për këtë. Lajmi u bë sekret i hapur brenda klubit, por u zbulua për publikun nga një prej sponsorëve me ndikim të klubit, i cili u informua për vendimin e spanjollit.
“Daily Mail” thekson se City po përgatitet të dielën t’i bëjë një lamtumirë spektakolare trajnerit që solli 20 trofe, Ligën e Kampionëve të UEFA-s, gjashtë tituj në Premier League. Edhe pasardhësi është i njohur, sepse Enzo Maresca, ish-bashkëpunëtori i tij dhe më pas menaxheri i Chelseat, refuzoi të gjitha ofertat sepse pret inaugurimin në Manchester City.