Bujar Osmani: Nuk ka nevoj të kërkohet zgjidhje për provimin e jurisprudencës, zgjidhja egziston në Ligjin për Gjuhët, neni 23, alineja 5
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, duke theksuar se zgjidhja tashmë ekziston në Ligjin për Gjuhët dhe se problemi mbetet vetëm moszbatimi i tij.
Osmani ka përmendur nenin 23, alineja 5 të Ligjit për Gjuhët, duke theksuar se “duhet vetëm të implementohet”, ndërsa ka akuzuar kundërshtarët politikë për tendenca ndaj zhbërjes së ligjit, njofton TS.
“Nuk ka nevojë të kërkohet zgjidhje. Zgjidhja ekziston në Ligjin për Gjuhët, neni 23, alineja 5. Duhet vetëm të implementohet. Por këta albanofobë nuk e llogarisin Ligjin për Gjuhët, sepse planifikojnë ta zhbëjnë atë”, ka shkruar Osmani.
Sipas tij, synimi është që përdorimi i gjuhës shqipe të fragmentohet dhe të mbetet në varësi të vendimeve politike të ekzekutivit.
“Prandaj duan ta fragmentojnë shqipen copë-copë, që përdorimi i saj të mbetet në mëshirën e Kryeministrit se ku duhet dhe ku nuk duhet të përdoret”, është shprehur më tej Osmani.