ASH: Bllokimi i kufirit nga Shqipëria, tentativë për të zbehur protestën e studentëve në Shkup

Bllokimi në kufi, goditje e ulët ndaj protestës për gjuhën shqipe.Ajo që po ndodh sot në hyrje nga Shqipëria nuk mund të kalojë si “problem teknik” dhe i zakonshëm.

Në ditën kur studentët shqiptarë protestojnë në Shkup për gjuhën shqipe, bllokimi i qarkullimit nga Shqipëria ngre një dyshim shumë të rëndë dhe shumë të qartë.Rastësi? Vështirë të besohet.

Kur në Shkup organizohet protestë për një çështje kaq të ndjeshme kombëtare dhe qytetare, ndërsa në kufi pengohet hyrja e qytetarëve në veçanti studentëve nga Shqipëria mesazhi është i qartë, dikush po mundohet ta zvogëlojë mbështetjen, ta zbehë protestën dhe ta mbajë larg solidaritetin shqiptar.

Kjo është lojë shumë e ulët dhe e rrezikshme. Institucionet nuk guxojnë të përdoren për të frikësuar, penguar apo lodhur qytetarët. Kufiri nuk është pronë e partive, as instrument për pazare politike. Është pikë shtetërore që duhet të i’u shërbejë qytetarëve, jo t’i ndalë ata kur zëri i tyre bëhet i pakëndshëm për pushtetin.

Qeveria duhet të japë përgjigje menjëherë. Kush e bllokoi sistemin? Pse pikërisht sot? Pse nuk u mundësua kalimi me procedura alternative? Dhe mbi të gjitha, kush përfiton nga pengimi i qytetarëve të Shqipërisë për të ardhur në Shkup dhe për t’u solidarizuar me bashkëkombasit e tyre?

Nëse dikush ka menduar se gjuha shqipe mbrohet vetëm nga ata që arrijnë të kalojnë kufirin, gabohen rëndë. Kjo kauzë nuk ndalet me barriera, nuk dobësohet me pritje dhe nuk shuhet me heshtje institucionale.

Studentët sot nuk protestojnë vetëm për një nen, një vendim apo një procedurë. Ata protestojnë për dinjitet, për barazi dhe për të drejtën që gjuha shqipe të mos trajtohet si problem, por si e drejtë e patjetërsueshme.

Bllokimi i sotëm duhet të zbardhet deri në fund.Sepse kur shteti fillon të pengojë lëvizjen për të dobësuar një protestë, atëherë problemi nuk është më vetëm te kufiri. Problemi është te vetë mendësia e pushtetit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo