Sistemi futuristik i mbrojtjes raketore i Donald Trumpit, i pagëzuar si “Kupola e Artë”, do të kushtojë rreth 1.2 trilionë dollarë për t’u zhvilluar, dislokuar dhe operuar përgjatë dy dekadave të ardhshme, sipas vlerësimeve të Zyrës jopartiake të Buxhetit në Kongresin Amerikan (CBO). Kjo shifër është dukshëm më e lartë se shuma fillestare prej 175 miliardë dollarësh që ishte parashikuar.
Sistemi, i cili është projektuar për të mbrojtur SHBA-në nga raketat balistike dhe ato të lundrimit (cruise), mund të mos funksionojë ashtu siç dëshirohet. Raporti i ri i Zyrës së Buxhetit paralajmëroi se “Kupola e Artë” mund të jetë e cenueshme ndaj një sulmi të shkallës së gjerë nga Rusia ose Kina.
Vetëm kostot e prokurimit do të kalonin vlerën e një trilion dollarëve, duke përfshirë përgjuesit me shumë shtresa si dhe sistemin hapësinor për paralajmërimin dhe gjurmimin e raketave, thuhet në raportin e ri.
Vetëm pak ditë pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump shpalosi planet për këtë sistem, i cili synon të përballet me kërcënimet ajrore të “gjeneratës së ardhshme”. Vitin e kaluar, ai deklaroi se ky program do të kërkonte një investim fillestar prej 25 miliardë dollarësh, me një kosto totale prej 175 miliardë dollarësh përgjatë kohës.
”E ashtuquajtura ‘Kupolë e Artë’ e presidentit nuk është gjë tjetër veçse një transferim masiv i parave të punëtorëve amerikanë tek kompanitë kontraktuese,” tha senatori demokrat Jeff Merkley, i cili kishte kërkuar këtë vlerësim buxhetor.
Zyrtarët paralajmëruan se sistemet ekzistuese nuk po e mbajnë hapin me armët gjithnjë e më të sofistikuara që posedojnë kundërshtarët potencialë.
”Pavarësisht kostove të parashikuara për ‘Kupolën e Artë’, sistemi mund të mbingarkohet dhe të dorëzohet në rast të një sulmi të plotë të ndërmarrë nga një kundërshtar i barabartë ose pothuajse i barabartë në fuqi,” njoftoi Zyra e Buxhetit.