Fillon hetimi për korrupsion: Kryetari dhe administratori i Gjykatës së Gostivarit “shitën” drejtësinë për 8.000 euro





Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur sot një procedurë zyrtare hetimore kundër dy personave, të cilët në cilësinë e bashkëkryerësve dyshohen për veprën penale “marrja e shpërblimit për ndikim të paligjshëm”. Sipas dosjes së prokurorisë, të dyshuarit – njëri kryetar gjykate dhe tjetri administrator gjyqësor – duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare dhe ndikimin real, kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet në vlerë prej 8.000 eurosh nga një palë në një kontest civil gjatë periudhës janar 2023 – 2025.

​Fillimisht, ata premtuan ndërhyrjen te një gjyqtar i Gjykatës Themelore të Gostivarit për të mundësuar përsëritjen e një procedure në këmbim të 5.000 eurove. Pasi ky plan dështoi, të dyshuarit kërkuan edhe 3.000 euro shtesë për të ushtruar ndikim te gjyqtarët e Gjykatës së Apelit në Gostivar për të shfuqizuar vendimin negativ.

Përveç këtyre shumave, administratori gjyqësor akuzohet se ka marrë edhe 800 euro të tjera për të manipuluar veprimet lidhur me një dokument të dorëzuar nga një përmbarues. Prokurori kompetent ka kërkuar nga gjykata masa paraprake për të dy të dyshuarit, përfshirë marrjen e pasaportave, ndalimin e largimit nga vendbanimi dhe pezullimin nga detyrat e tyre zyrtare që lidhen me veprën penale.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo