
Farmir Limani
Betejat “politike” i filluam me qëllim që, përmes mposhtjes së kastës së vjetërsuar, t’u krijonim hapësira gjeneratave të reja, të cilat do t’i përfshinim në hartimin dhe implementimin e politikave me bërthamë zhvillimin rinor.
Ngadhënjyem mbi sojin me ideologji të vjetërsuar, që nuk përputhej me trendet e zhvillimeve bashkëkohore, por menjëherë pas fitores u zgjuan instinktet e luftës me bërryla brenda llojit, për të krijuar epërsi mbi “luftëtarët” e vërtetë.
E pamoralshmja e veprimeve politike ndodhi në momentin kur, përmes motos “votuesi i heshtur”, filluan të zëvendësohen aktivistët e vërtetë me prurje “servile”, duke i emëruar në pozita të larta, vetëm për faktin se premtimet e bashkëpunimit ishin të pakufizuara.
U organizua edhe një Kongres i jashtëzakonshëm në emër të bashkimit të pesë llojeve në një rrugë interesi të përbashkët, por sërish duke eliminuar delegatët e dikurshëm që sollën deri te bashkimi dhe fitorja e madhe.
Sot, në të gjitha hapësirat “vëlon” pakënaqësia, e cila dita-ditës do të shpërthejë deri në masën e shfrenimit të pakontrolluar. Harruan se “lufta” e dikurshme, e filluar kundër sojit të vjetër, përfundoi me rikthimin e dështakëve, hajdutëve dhe të skaduarve politikë, duke i përfshirë në radhët dhe nën hijen e siglës së “ndryshimit të madh”!
Trumbetonin: “Nuk kemi vërejtje dhe kundërshti ndaj udhëheqësit të BDI-së, por akuzat drejtohen te bashkëpunëtorët që janë në krahun e tij…”
Sot doli se nuk e paskan pasur me “sojin” që e rrethonte liderin, sepse të gjithë i morën në emër të “votuesit të heshtur-trembur”, duke i paraqitur si të shpëlarë nga mëkatet e keqpërdorimeve, deri në masën e përvetësimit të të gjitha vlerave materiale e çnjerëzore…
Thua është e arsyeshme bashkimi i “plenit me VLEN-in”.., ose ndjehet e nevojshme pllenimi në kohë pranvere që të mbijë më mirë, fara e re… ?!
*Arritëm edhe kohën e ndryshimit të çerdheve, duke u klasifikuar soji me sojin, lloji me llojin, fisi me fisin, pisi me pisin…