Profesori Josef Slapal nga Universiteti Teknologjik i Bërnos, më 12 maj 2026, realizoi vizitë zyrtare në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Tetovës, ku edhe mbajti ligjëratë me temë: “Kurbat e Xhordanit në hapësirën digjitale”.
Gjatë vizitës së tij, profesori Slapal u prit nga drejtuesit e FSHMN-së, përkatësisht dekani Prof. Dr. Florim Idrizi, prodekani për shkencë Prof. Dr. Ahmed Jashari, shefja e programit studimor Doc. Dr. Ylldrita Seferi, si dhe stafi akademik i programit studimor të Matematikës. Në këtë takim u diskutua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndëruniversitar në fushën e kërkimit shkencor, projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave akademike.
Ligjërata e profesorit Slapal u organizua në kuadër të aktiviteteve dhe motivuese të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore. Në prezantimin e tij, ai trajtoi konceptin e kurbave Xhordan në hapësirat digjitale, duke e ndërlidhur këtë temë me zhvillimet moderne në matematikë, topologji dhe shkencat kompjuterike.
Aktivitetin e hapi prodekani për shkencë, Prof. Dr. Ahmed Jashari, i cili foli për angazhimin dhe kontributin shkencor të profesorit Slapal në nivel ndërkombëtar. Më pas, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë të detajuar dhe bashkëkohore mbi matematikën digjitale dhe aplikimet e saj praktike.
Ligjërata ngjalli interes te studentët, profesorët nga Universiteti i Tetovës, por edhe pjesëmarrësit nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” i Shkupit. Pas përfundimit të ligjëratës u zhvillua një diskutim, ku të pranishmit shkëmbyen ide dhe parashtruan pyetje mbi aspektet shkencore të temës së trajtuar. Ky aktivitet u zhvillua si rezultat i komunikimit ndërmjet dy institucioneve në krijimin e mundësive të reja për bashkëpunime ndërkombëtare.


